Policia e Kosovës heton rrëmbimet e raportuara të serbëve nga grupet kriminale

Prishtinë, 21 dhjetor 2022 – Policia e Kosovës tha se është duke kryer hetimet e nevojshme lidhur me informacionet dhe raportimet mediale për rrëmbimin e disa qytetarëve serbë në veri të Kosovës.

Policia tha se është duke i trajtuar këto raste me “seriozitet”.

“Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serbë nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Policia Kosovës, njësitet përkatëse të saj, janë duke trajtuar me seriozitet këto informata dhe janë duke i ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e tyre”, thuhet në njoftim. 

Policia nuk bëri të ditur se sa persona dyshohet se janë rrëmbyer apo keqtrajtuar dhe kur kanë ndodhur këto incidente. Por, ajo tha se tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kërkojnë ngritjen e kapaciteteve policore për të menaxhuar situatën e sigurisë dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale atje.

Në veri të Kosovës, tensionet janë rritur që nga fillimi i dhjetorit. Deri më sot janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, me granata dore dhe me shok bomba.

Më 10 dhjetor, grupe serbësh me mbështetjen e Beogradit zyrtar, kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën Veriore,  më 6 dhjetor.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ajo ka kapacitete për sigurimin e lëvizjes së lirë, por ka preferuar që për këtë të kujdeset KFOR-i.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndonëse kishte deklaruar se Beogradi nuk ka gisht në vendosjen e barrikadave, ka thënë se barrikadat do të hiqen pasi Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

(r.m.)