“Policia e Kosovës i ka furnizuar banorët e Banjkës me ilaçe dhe artikuj elementarë për jetesë”

Mitrovicë, 26 shtator 2023 – Fshati Banjskë në komunën e Zveçanit,në pjesën veriore të Kosovës, vazhdon të kontrollohet nga Policia e Kosovës.

Një banor i Mitrovicës së Kosovës, prindërit e të cilit jetojnë në Banjskë, ka thënë se fshati është ende i bllokuar dhe askush  nuk mund të largohet nga fshati e as të hyjë në fshat.

Dejan Nedelkoviq ka thënë se dje ka ka tentuar të shkojë tek prindërit në fshat dhe t’i dërgojë ilaçe babait të tij diabetik, por policia e ka ndaluar dhe i ka thënë se nuk mund të hyjë në Banjskë.

Por, ai ka treguar se Policia e Kosovës u ka dërguar banorëve të Banjkës ilaçe dhe artikuj elementarë për jetesë.

“Ata i kanë gjërat elementare për jetë. Policia e Kosovës u ka dërguar dje ilaçe, ushqime e pije dhe u ka thënë se kjo situatë mund të zgjasë disa orë ose disa ditë, prandaj  ata duhet të kenë durim”, ka thënë Nedelkoviq për televizionin e pavarur në Serbi, N1.

Ai ka thënë se ka informacione se një numër i madh i automjeteve të KFOR-it janë vendosur në hyrje të manastirit të Banjskës.

“Miqtë e mi më kanë thënë se forcat e KFOR-it do t’i kontrollojnë bodrumet e konakut të manastirit, ku priftërinjtë ruajnë verën dhe produktet tjera, për të konstatuar nëse aty mund të gjendet ndonjë gjë që ka mbetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

“Banorët e Banjskës janë të frikësuar. Njësitet speciale të ROSU-së kanë shkuar derë më derë në të gjitha shtëpitë dhe u kanë thënë banorëve që të mos u afrohen dritareve dhe të shtrihen nën krevat, në rast se dëgjojnë të shtëna armësh, në mënyrë që të mos i qëllojë ndonjë plumb”, ka shtuar ai.

Nedelkoviq ka thënë se tani është vështirë të kuptohet se çfarë ka ndodhur të dielën në Banjskë.

“Ka shumë pikëpyetje. A kishte logjistikë pas atyre njerëzve? A ishin të organizuar nga dikush? Mendoj se ata ishin djem pa eksperiencë dhe se shumica prej tyre nuk e kanë kryer shërbimin në ushtri… A i ka ‘shitur’ dikush prandaj kanë mbetur aty dhe e kanë humbur jetën? Për fat të keq, ndoshta këtë nuk do ta mësojmë kurrë”, ka thënë ai.

Nedelkoviq ka thënë se e diela ishte një nga ditët më të rënda për banorët e pjesës veriore të Kosovës pas vitit 1999 dhe vitit 2004.

“Shprehimisht, kjo ishte një ditë e zezë. Ne prisnim të mësonim se kush ishin njerëzit që ishin vrarë. Kushdo që të jetë, sigurisht që është e vështirë, por është shumë më keq nëse ata janë bashkëqytetarët tu, njerëz të cilët i ke njohur dhe me të cilët ke pirë kafe deri dje”, ka thënë ai.

(r.m.)