Policia e Kosovës kap sasi të armatimeve në Zveçan

Prishtinë, 23 qershor 2023 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës kanë gjetur një sasi të madhe të armatimeve në Zveçan.

Sveçla ka treguar se armatimet janë gjetur në “një veturë me targa të Beogradit” dhe “rreth 100 metra larg komunës së Zveçanit”.

Ai ka thënë se në veturë janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve shpërthyese, municione të ndryshme, granatahedhës dore, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.

“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë, vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimin e çdo akti të mundshëm që synon cenimin e sigurisë në Kosovë.

Sipas Sveçlës, institucionet e sigurisë së Kosovës kanë dhënë informacione se gjatë javëve të fundit nga Serbia në Kosovë janë futur vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake.

Javët e fundit tensionet në veri të Kosovës janë shtuar. Ato nisën më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.

Që atëherë serbët kanë protestuar çdo ditë. Protestat u përshkallëzuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it. Dhjetëra ushtarë të Italisë dhe Hungarisë u lënduan. Disa prej tyre u kthyen në shtetet e tyre për trajtim mjekësor.

Tensionet u shtuan edhe më shumë më 14 qershor, kur forcat serbe i rrëmbyen në terrritorin e Kosovës tre policë kosovarë. Serbia thotë se ata u arrestuan brenda territorit të saj.

Kosova dhe faktorët ndërkombëtarë kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve.

Të enjten, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, zhvilloi në Bruksel takime të veçanta me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar për “menaxhimin e krizës” në pjesën veriore të Kosovës.

Pas takimeve, Borrell tha se Kurti e Vuçiq janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, në të cilat duhet të marrin pjesë edhe serbët, të cilët i bojkotuan zgjedhjet që u mbajtën më 23 prill.

Të premten, Borrell tha se “pavarësisht takimeve të mbajtura” në Bruksel me Kurtin dhe Vuçiqin, në pjesën veriore të Kosovës “përshkallëzimi po vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm”. Ai ka thënë se BE-ja nuk do ta tolerojë këtë.

(r.m.)