Policia e Kosovës mohon se zyrtari i saj ka përdorur dhunë gjatë incidentit në Mitrovicën Veriore

Prishtinë, 25 maj 2025 – Policia e Kosovës ka mohuar sërish të ketë përdorur dhunë gjatë një ndërhyrjeje ndaj një incidenti verbal me pjesëmarrjen e maturantëve serbë në Mitrovicën e Veriut të premten, por ka njoftuar se ka nisur një hetim të brendshëm ndaj një zyrtari policor të përfshirë në rast.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi të dielën në një konferencë për media se zyrtari në fjalë është transferuar nga stacioni policor në Mitrovicën e Veriut në atë të Mitrovicës së Jugut dhe se rasti është dorëzuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

“Kemi iniciuar një procedurë për hetim në IPK, i cili është agjencion i veçantë… Ne do të punojmë që të mos kemi lëshime dhe gabime që i japin dikujt argument ta konsiderojë Policinë e Kosovës si forcë që nuk e respekton ligjin dhe i tejkalon kompetencat,” tha Hoxha.

Ai tha se Policia e Kosovës ndodhej atje për t’u përkujdesur për parakalimin e paralajmëruar të maturantëve dhe se disa prej tyre i kanë provokuar klientët që gjendeshin në një kafeteri.

“Disa pjesëmarrës filluan t’i provokojnë qytetarët që kanë qenë ulur në kafeteri me thirrjet ‘Kosova është zemra e Serbisë’ dhe duke bërë simbolin serb me tre gishtërinj”.

Hoxha i hodhi poshtë pretendimet se ndaj një maturanti është ushtruar dhunë fizike, kurse raportimet për një maturant të gjakosur i cilësoi si inskenim për propaganda kundër Kosovës.  Ai tha se përdorimin e dhunës nga zyrtari policor e ka mohuar edhe vetë nxënësi, në praninë e babait të tij, ndërsa ngjyra e kuqe që në fotografitë e publikuara në mediet serbe dukej si gjak ishte vizatuar me marker.

“Në media është shfaqur një person që pretendohet se është përdorur dhunë e tepruar nga zyrtari policor. Edhe vetë maturanti [serb], në prani të prindit të tij, ka thënë se ngjyrat në qafë ishin vizatime me marker dhe se kjo është traditë e maturantëve. Ai nuk ka shenja dhune në qafë,” shtoi ai.

Hoxha tha se lëshimi i fletarrestimit nga Serbia për zyrtarin policor është në “vazhdën e përndjekjeve të policëve të Kosovës”.

“Kemi pasë raste që policë tanë janë arrestuar në Serbi. Ne i përgjigjemi vetëm gjykatave tona por jo autoriteteve serbe”, tha Hoxha.

Të premten, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi se polici kishte vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë.

(r.m.)

Comment

*