Policia e Kosovës njoftoi se ka marrë masa për ruajtjen e rendit e qetësisë publike më 16 shtator

Prishtinë, 14 shtator 2026 – Policia e Kosovës njoftoi se i ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit e qetësisë publike, si edhe për mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që parashihet tѱ zhvillohen më 16 shtator, ku pritet të shpallet verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Policia, nëpërmjet një komunikate për publikun, njoftoi se do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët dhe do të angazhohet që të gjitha aktivitetet të jenë të qeta dhe të përfundojnë pa incidente. Ajo paralajmëroi se në rast të nevojës do të orientojë trafikun në rrugët alternative.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente. Varësisht nga aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, thuhet në komunikatë.

Policia tha se, “me qëllim të mirëmbajtjes dhe avancimit të partneritetit” ajo do të bashkëpunojë edhe me partnerë ndërkombëtarë, si: KFOR, EULEX, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së dhe OSBE-ja.

“Sipas praktikave të mëhershme të ndërtuara, me qëllim të mirëmbajtjes dhe avancimit të partneritetit, kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete apo tubime publike, menaxhmenti i PK-së mban takime informuese dhe koordinuese me drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorët e drejtorive rajonale, përfshirë edhe takime me partnerë ndërkombëtarë, si: KFOR, EULEX, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së dhe OSBE-ja”, thuhet në komunikatë.

Ajo njoftoi se për masat e ndërmarra lidhur me zhvillimet e pritshme pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale, më 16 shtator, janë prezantuar edhe në takimin e sotëm me partnerë ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë.

Policia u bëri thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve të manifestimeve publike që “të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt”. Ajo shpjegoi se masat e ndërmarra janë në interes të përgjithhëm.

“Policia e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt, pasi planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në rastet kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi dhe implementimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore, që shërbejnë në interes të sigurisë së përgjithshme”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Në fund të komunikatës, Policia e Kosovës tha se zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend dhe theksoi se siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritete të saj.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve ku janë paralajmëruar tubime proteste më 16 shtator.

(r.m.)