Prishtinë, 16 prill 2026 – Policia e Kosovës njofton se në pjesën veriore të vendit, në gjashtë raste të ndara, ka gjetur e sekuestruar armë, municione, granatë dore dhe pajisje ushtarake ilegale.
Në njoftim bëhet e ditur se në gjashtë lokacione të ndryshme janë gjetur gjithsej 9 pushkë të ndryshme, tre karikatorë armësh automatike, sasi të konsiderueshme të municioneve të kalibrave të ndryshëm dhe mjete e pajisje të ndryshme ushtarake.
Në një rast, policia ka gjetur edhe një mjet shpërthyes, i cili është tërhequr në mënyrë të kontrolluar.
Policia tha se operacioni është kryer në bazë të informacioneve të pranuara nga qytetarët, të cilëve u bën thirrje të vazhdojnë bashkëpunimin për ngritjen e nivelit të sigurisë në vend.
Ministri I Punëve tw Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje të armëve dhe pajisjeve të sekuestruara. Ai ka thënë se ato janë prova të “përpjekjeve të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme me potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në vend”.
“Institucionet shtetërore të sigurisë do të reagojnë me vendosmëri të plotë ndaj çdo individi apo grupi që përmes veprimeve kriminale paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe vendit tone”, ka theksuar Sveçla.
Njoftimi i plotë i policisë:
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, në vazhdën e pranimit të informatave nga ana e qytetarëve, me datën 16.04.2026, në disa lokacione në Komunën e Zubin Potokut konkretisht në fshatin Banovë dhe Prevllak kanë gjetur armë, municion si dhe mjete të tjera ilegale. Si rezultat, janë ndërmarrë veprime policore duke kryer kontroll në rastet si në vijim:
RASTI I
Njësitë policore kanë kryer kontroll në një shtëpi të pabanuar, janë gjetur dhe janë sekuestruar:
– 4 pushkë të ndryshme,
– 3 radio lidhje,
– 1 kamerë,
– 223 fishekë të ndryshëm, uniforma ushtarake si dhe pajisje për pastrimin e armëve.
RASTI II
Njësitë policore kanë kryer kontroll në një shtëpi, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe kanë sekuestruar:
– 1 pushkë pa leje,
– 3 fishekë.
Në këtë lokacion është hasur personi M. R. (1972) i cili është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit të Shtetit i njëjti është liruar, ndërsa do të hetohet për veprën panel ‘armëmbajtje pa leje’.
RASTI III
Njësitë policore gjatë kontrollit në një shtëpi tjetër të pabanuar kanë gjetur dhe kanë sekuestruar:
– 1 armë AK-47,
– 3 karikatorë,
– 88 fishekë të armës së gjatë,
– 1 granatë dore M75 (prodhim jugosllav).
Rasti IV
Njësitë policore gjatë kontrollit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe kanë sekuestruar:
– 1 armë AK-47
– 19 fishekë
Rasti V
Njësitë policore gjatë kontrollit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe kanë sekuestruar:
– 1 pushkë M48 (e çmontuar)
– 1 pushkë të gjuetisë
– 33 fishekë
Rasti VI
Njësitë policore gjatë kontrollit në një hambar kanë gjetur dhe kanë sekuestruar:
– 1 mekanizëm i armës së gjatë M-48,
– thikë – bajonetë,
– uniforma ushtarake.
Në vendin e ngjarjes, në rastin III, kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë tërhequr mjetin eksploziv në mënyrë të kontrolluar.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Çdo informacion mund të raportohet në numrin 192.
(r.m.)