Policia e Kosovës bën thirrje për protestë paqësore

Prishtinë, 05 tetor 2026 – Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, njoftoi për tensionet pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe për masat që ka ndërmarrë për ruajtjen e rendit e qetësisë publike dhe për mbarëvajtjen e protestës kundër akgjykimit dënues të shkallës së parë të gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo thekson se “e njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike” dhe u bën apel të gjithë pjesëmarrësve të protestës që “të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet”.

“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ku siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Protesta e qytetarëve ka vazhduar edhe sot, duke qëndruar pranë objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të shprehur vazhdimin e pakënaqësive lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për të pritur votimin e plotësim-ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara.

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, ka vazhduar me masat dhe planifikimet e nevojshme për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e protestës, në mënyrë që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.

Protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë përreth objektit të Kuvendit të Kosovës, ku person/a të caktuar, pjesëmarrës në protestë, kohë pas kohe kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit, si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme, mjete piroteknike, drejt objekteve shtetërore të Kosovës.

Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për qytetarët si dhe mbrojtjes së pronës publike, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin mjete piroteknike apo gjësende të ndryshme.

Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të protestohet në mënyrë të qetë, Policia e Kosovës është detyruar të marrë masa ndaj një protestuesi i cili dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore, të cilin e ka shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme.

Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike, si dhe apelon tek të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet.

Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ku siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës.

(r.m.)