Policia gjen armë të gjata, të fshehura në pyll në fshatin Junake të Zveçanit

Prishtinë, 2 shtator 2025 – Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë i Policisë Kufitare të Kosovës i ka gjetur tri armë të gjata në fshatin Junake të komunës së Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se policia i ka gjetur dhe konfiskuar: një pushkë gjysmëautomatike dhe dy pushkë gjuetie, si edhe një sasi municioni për pushkët e gjetura.

Ai ka bërë të ditur se armët janë gjetur në një gyp të fshehur në pyllin e fshatit.

Në vendngjarje kanë dalë Njësiti i Hetimeve Rajonale dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, të cilët kanë konfiskuar armët.

Elshani ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka të arrestuar lidhur me rastin.

Pas sulmit të grupit të armatosur serb në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, në pjesën veriore të vendit, Policia e Kosovës ka gjetur e sekuestruar armë, municione luftarake dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Dyshohet se këto armë u përkisnin strukturave serbe të sigurisë që kanë vepruar në këtë pjesë të Kosovës.

Në disa raste, janë arrestuar personat që dyshohet t’i kenë poseduar armët e konfiskuara, por në shumë raste armët janë gjetur në objekte apo hapësira publike.

Ekspertët e forenzikës vazhdojnë të hulumtojnë nëse armët e konfiskuara janë përdorur në aktet kriminale të kryera në pjesën veriore të Kosovës apo gjetkë.

(r.m.)