Policia iraniane do ta nisë një fazë të re të zbatimit të detyrueshëm të ligjit për hixhabin

Teheran, 12 prill 2024 – Policia në Teheran ka thënë të premten se do ta fillojë një fazë të re të zbatimit të detyrueshëm të ligjit për hixhabin nga 13 prilli, edhe pse projektligji i ri për hixhabin ende nuk është aprovuar nga Këshilli Kujdestar i vendit.

Shefi i Policisë, Abbasali Mohammadian, njoftoi për fazën e re të zbatimit të detyrueshëm para një njoftimi të ngjashëm nga shefi i policisë në qytetin jugor, Bushehr.

Të dy shefat e policisë thanë se do të ketë “zbatim më të ashpër” të ligjit në të gjitha hapësira publike duke filluar nga 13 prilli.

Megjithëse Këshilli Kujdestar ende nuk e ka miratuar projektligjin, i cili është hap i nevojshëm që ai të bëhet ligj zyrtarisht, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dha një urdhër gjatë faljes së Fitër Bajramit për masa të zbatimit të detyrueshëm kundër atyre që ai i quajti “shkelës së normave fetare” brenda shoqërisë iraniane.

Khamenei gjithashtu e përkufizoi ligjin për bartjen e detyrueshme të shamisë së kokës, hixhabit, si “dekret i qartë fetar”.

Projektligji për hixhabin, i cili kaloi në Parlamentin iranian vitin e kaluar pa diskutim publik, u nxor si përgjigje për një valë protestash dhe mospajtimesh nga gratë kundër detyrimit për ta bartur shaminë e kokës.

Megjithatë, procesi i aprovimit të tij është duke vazhduar ende, pas disa kundërshtimeve nga Këshilli Kujdestar, përfshirë pyetjeve se si do të zbatohet ky ligj.

Mehdi Bagheri, një ligjvënës i përfshirë në shqyrtimin e projektligjit, tha se ka plane për ta dorëzuar përsëri një projektligj të ndryshuar në Këshillin Kujdestar javën e ardhshme.

Gholamhossein Mohseni Ejei, kryetar i Gjyqësorit të Iranit, tha se, duke i parë komentet e Khameneit, kornizat e tanishme ligjore mund të shfrytëzohen për ta zgjeruar përputhshmërinë pa pritur aprovimin formal të projektligjit.

Kthimi i përqendrimit në zbatimin e detyrueshëm të hixhabit po bëhet pasi një numër i raporteve sugjerojnë se ka rënë zbatimi i bartjes së shamisë së kokës nga gratë iraniane në Teheran dhe në qytete të tjera, pas protestave gjithëkombëtare që u nxitën nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgim në vitin 2022, pasi ishte arrestuar për gjoja shkeljen e ligjit të hixhabit.

Bartja e hixhabit u bë e detyrueshme për gratë dhe vajzat mbi moshën 9-vjeçare në vitin 1981, dy vjet pas Revolucionit Islamik në Iran.

Shumë gra e kanë shpërfillur ligjin ndër vite dhe i kanë thyer kufijtë e atyre që zyrtarët i cilësojnë si rroba të pranueshme.

Vdekja e Aminit nxiti zemërim të madh, duke e vënë regjimin islamik përballë sfidës më të madhe prej revolucionit.

Irani është përballur me protesta të mëdha dhe me mosbindje shoqërore kundër hixhabit. Ka pasur edhe fushata kundër ligjit diskriminues, megjithëse shumë prej tyre kanë shtypur nga shteti.

(Radio Evropa e Lirë)