Policia ka gjetur dëshmi se njëri nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave

Prishtinë, 31 korrik 2026 – Policia e Kosovës tha se ka bastisur shtëpinë e M.J në Zubin Potok dhe ka gjetur dhe sekuestruar prova që dëshmojnë se ai kishte qenë “i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish-armatën jugosllave”.

M.J së bashku me M.B u arrestuan më 28 korrik, nën dyshime për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Prokuroria Speciale ka thënë se arrestimi i tyre lidhet me gërmimet që po fryhen në Zubin Potok ku dyshohet për një varrezë masive dhe besohet se aty janë varrosur viktima të luftës së fundit në Kosovë.

Policia, ndërkaq, tha se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale po vazhdon të kryejë hetime intensive lidhur me dy të arrestuarit.

“Rasti po vazhdon të trajtohet nga ekipet relevante policore, përderisa Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me organet e drejtësisë, të trajtojë të gjitha rastet penale, përfshirë ato që kanë të bëjnë me krimet e luftës”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka konfirmuar më 30 korrik se në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut janë zbuluar mbetje mortore që janë me origjinë njerëzore.

Sipas tij, identifikimi i viktimave do të marrë kohë, pasi eshtrat do t’iu nënshtrohen identifikimit përmes ADN-së.

Institucionet e Kosovës dyshojnë se varreza e dyshuar masive mund të lidhet me zhdukjen e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha më 29 korrik se ky ishte dyshimi i parë i institucioneve, por theksoi se identiteti i mbetjeve mortore mund të konfirmohet vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore.

Në prill të vitit 1999 ishin zhdukur 23 civilë shqiptarë, në mesin e tyre mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Disa ditë pas nisjes së gërmimeve në Zubin Potok, më 30 korrik në Serbi u arrestua një person nën dyshime për “spiunazh”. Ministri në detyrë i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare i Kosovës, Andin Hoti, tha se R.T. nga Istogu u arrestua në Serbi pasi ndihmoi në zbulimin e një varreze masive në Kosovë.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*