Prishtinë, 7 tetor 2026 – Policia e Kosovës ka ndërprerë një tubim ilegal parazgjedhor për zgjedhjet parlamentare të Serbisë që po zhvillohej në hapësirat e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se policia ka ndëhyrë në bazë të vendimit për të mos lejuar tubime e aktivitete parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Ai ka thënë se pjesëmarrësve të tubimit të shpërndahen.
“Ne kishim informacion se po zhvillohej një tubim parazgjedhor. Nuk do të lejohen tubimet parazgjedhore për Serbinë në Kosovë”, ka thënë ai.
Elshani nuk ka treguar se mbështetësit e cilës parti e kishin organizuar tubimin, por ka treguar se mes pjesëmarrësve ka pasur edhe zyrtarë të Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës që kontrollohet nga Beogradi, të cilët kanë thënë se ky nuk ishte tubim parazgjedhor por ishte një aktivitet tjetër.
“Ata [zyrtarët e Listës Serbe] na thanë se bëhej fjalë për një lloj aktiviteti edukativ, por ata u larguan nga ambientet”, ka thënë Elshani.
Lista Serbe e ka kërkuar publikisht mbështetje për listën “Srbija Ujedinjena” [Serbia e Njësuar] të Aleksandar Vuçiqit.
Qeveria e Kosovës e ka refuzuar kërkesën për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë. Ajo i ka shpallur të paligjshme edhe tubimet e manifestimet parazgjedhore pët zgjedhjet në Serbi.
Komisioni Zgjedhor i Serbisë ka vendosur që serbët nga Kosova që kanë shtetësi të Serbisë të votojnë në katër qytete të Serbisë që gjenden gjeografikisht afër Kosovës: Vranjë, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin.
Zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë janë organizuar edhe në Kosovë deri në vitin 2022, kur Qeveria e Kosovës e ndaloi hapjen e vendvotimeve në Kosovë. Deri atëherë, serbët e Kosovës votonin në vendvotimet e hapura në vendbanimet me shumicë serbe, ndërsa për mbarëvajtjen e procesit dhe për bartjen e votave në Serbi përkujdesej Misioni i OSBE-së në Kosovë.
(r.m.)