Prishtinë, 16 mars 2026 – Të hënën në Kosovë filloi zbatimi i plotë i Ligjit për të huaj dhe Ligjit për Automjete të Huaja. Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se për serbët e Kosovës do të ketë disa lehtësi. Ky vendim, i cili u cilësua edhe si “lëshim pe” për shkak të presionit ndaj Kurtit, u mirëprit nga Beogradi zyrtar dhe nga serbët në Kosovë.
Por, të hënën ishte e paqartë se çfarë “lëshimesh” iu bënë serbëve të Kosovës. Opoozita në Kosovë e kritikoi Kurtin se bëri një hap prapa në zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve dhe, kështu, miratoi praktikën e qëndrimit të serbëve në Kosovë në kundërshtim me ligjet.
Policia e Kosovës dha pak më shumë infotrmacione lidhur me lëvizjen dhe qëndrimin neë Kosovë të shtetasve të huaj, pra edhe të shtetasve të Serbisë.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Veri, Veton Elsahni, ka bërë të ditur se shtetasit e Kosovës nuk do të mund të drejtojnë automjete të regjistruara jashtë Kosovës pas autorizime të Kosovës. Kjo do të thotë se tash e tutje serbët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin në Kosovë me automjete të regjistruara në Serbi pa autorizim valid të Kosovës.
“Zbatimi i ligjit për automjete në praktikë do të thotë se veturat të cilat deri tani janë hasur në rrugët e veriut të Kosovës me autorizime të Serbisë, të cilat nuk kanë qenë adekuate – që do të thotë shtetas kosovar ka vozitur veturë të Serbisë me autorizim – ato nuk do të lejohen”, ka thënë Elshani për Kosovapress.
Elshani ka shpjeguar se serbët që posedojnë automjete të regjistruara në Serbi do të lejohen të dalin nga Kosova edhe në qoftë se nuk kanë autorizime të Kosovës, por nuk do të mund të kthehen në Kosovë pa autorizim legal të Kosovës.
“Në rast se kemi autorizime joadekuate dhe qytetarët dëshirojnë të dërgojnë veturën në Serbi, kemi lejuar që këta të dalin, mirëpo nuk kanë mundësi të hyjnë pa dokumente përkatëse. Nëse vetura është e paregjistruar apo ka skaduar afati ose autorizimi nuk vlen, ata mund ta vendosin veturën në automjetin e transportit ose ta dërgojnë në Serbi dhe ne nuk i pengojmë. Por për të hyrë duhet të kenë dokumente adekuate”, ka thënë ai.
Elshani ka shpjeguar edhe dispozitën e Ligjit për të Huaj që ka të bëjë me qëndrimin e shtetasve të huaj në Kosovë. Ai ka theksuar se çdo shtetas i huaj duhet të raportojë në stacion policor adresën e qëndrimit në Kosovë, brenda 72 orëve nga momenti i hyrjes në Kosovë.
“Ligji për të huaj kërkon që policia të ketë qytetarin e raportuar në stacionin policor brenda 72 orëve nga momenti që ai hyn në kufi”, ka thënë ai.
Drejtori i organizatës joqeveritare ACDC, Dushan Radakoviq, ka deklaruar se serbët që jetojnë në Kosovë por kanë vetëm dokumente të Serbisë duhet të aplikojnë për pajisje me dokumente të Kosovës.
(r.m.)