Prishtinë, 8 gusht 2025 – Zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Igor Popoviq, është dënuar me 6 muaj burgim për veprën penale “nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit”, por dënimi me burg iu zëvendësua me 3 mijë euro gjobë dhe me dëbim nga Kosova për dy vjet.
Ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk ishte i pranishëm në shpalljen e aktgjykimit.
Gjykata Themelore në Prishtinë e mori këtë vendim pasi Popoviqi arriti marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale të Kosovës, e cila e kishte ngritur ankatakuzën kundër tij.
Në marrëveshjen e aprovuar nga gjykata të premten paradite, propozohej që dënimi prej 6 muajsh burgim të zëvendësohej me 3 mijë euro gjobë, me dëbim nga territori i Republikës së Kosovës dhe me ndalim të hyrjes së tij në territorin e Republikës së Kosovës për 2 vjet.
Në seancën dëgjimore, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, tha se marrëveshja është lidhur në përputhje të plotë me dispozitat ligjore, se i akuzuari është konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësit e tij dhe se kjo marrëveshje i përmbush të gjitha kriteret për t’u aprovuar nga gjykata.
Avokati i Popoviqit, Millosh Deleviq, tha se qëndron pranë marrëveshjes së arritur mes Prokurorisë dhe klientit të tij dhe se tashmë janë plotësuar kushtet parapara me dispozitat ligjore për aprovimin e saj nga gjykata.
Igor Popoviq ishte arrestuar më 19 korrik, në pikën kufitare me Serbinë, në Bërnjak, gjatë largimit nga Kosova. Më 5 gusht, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij, për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” ndërmjet grupeve etnike, të kryer më 18 korrik, në fshatin Hoçë e Madhe të komunës së Rahovecit.
Në një fjalimi që e kishte mbajtuar në këtë fshat, Popoviq e kishte cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste dhe luftën çlirimtare tëë UÇK-së e kishte krahasuar me aktet terroriste të grupit militant palestinez Hamas.
Ai e kishte akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për heshtjen përballë, siç ishte shprehur, “fushatës për dëbimin e serbëve nga Kosova”.
(r.m.)