Popullsia shqiptare po plaket me ritmin më të lartë në Europë

Tiranë, 3 qershor 2024 – Shqipëria është ende një nga vendet me popullsinë më të re në Europë, por gjatë 20 viteve të fundit ritmet e plakjes janë  më të lartat në të gjitha vendet europiane. Në vitin 2023, mosha mesatare e shqiptarëve ishte 38.8 vjeç, ndërsa në vitin 2003 ajo ishte 27,9 vjec.

Eurostat konstaton se mosha mesatare e shqiptarëve u rrit për gati 11 vite në periudhën 2003-2023, që është niveli më i lartë në Europë dhe me një diferencë shumë të lartë me nivelin e plakjes së propulsive të vendeve tjera të Europës.

Pas Shqipërisë, ritmet më të larta të plakjes së popullsisë në periudhën 2003-2023 janë shënuar në  Portugali ku mosha mesatare e popullsisë është rritur për 8.5 vite, në Rumani për 8.5 vite dhe në Maqedoninë e Veriut për 8 vite.

Vendi me moshën mesatare më të madhe të popullsisë në Europë në vitin 2023 ishte Italia, ku mosha mesatare ishte 48.4 vjeç. Pas Italisë renditen Portugalia, Bullgaria dhe Greqia.

Niveli më i ulët i plakjes së popullsisë në periudhën 2003-2023 është shënuar në Suedi. Gjatë këtyre dy dekadave, popullsia e këtij vendi është plakur për vetëm 1 vit. Pas saj renditen Moldavia, Luksemburgu dhe Belgjika, ku mosha mesatare e popullsisë është rritur për më pak se dy vite.

Eskpertët shqiptarë janë të mendimit se shkaktarë të rritjes më të shpejtë të moshës së popullsisë në Shqipëri, krahasuar me vendet me kushte të ngjashme politikë dhe ekonomike, janë rritja e shkallës së emigracionit, sidomos e të rinjëve, dhe rënia e shkallës së natalitetit.

(r.m.)