Tiranë, 9 shtator 2024 – Dy muaj pasi pasi ndërroi jetë, portreti i kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, është përjetësuar në kryeqytet, në një mural të realizuar nga artisti argjentinas, Maximiliano Bagnasco.
Vepra ndodhet në fasadën e njërit prej pallateve në zonën e Bulevardit të Ri, tashmë e përfunduar dhe gati për t’u admiruar nga qytetarët, jo vetëm nga shqiptarët por dhe nga të huaj që vijnë në Tiranë.
“Është një vepër e madhe që prek kryeveprën, pa diskutim. Kjo, do të thoja, është vepra më e mirë e Bagnascos. Është një vepër që tregon shumë kulturë, tregon personalitet. Jemi me fat që e kemi këtë vepër dhe jam i bindur që kur të vijnë dhe turistë të ndryshëm nga bota është një gjë shumë e mirë që të kemi një mural të Ismail Kadaresë, i cili është kaq i njohur në botë”, shprehet Helidon Haliti, curator i “Mural fest”.
Artisti argjentinas Bagnasco rikthehet sërish në Tiranë, për edicionin e gjashtë të “Mural Fest”. Vitin e kaluar ai e realizoi muralin e Leonel Messit. Këtë herë atij iu deshën dy muaj për ta studiuar portretin e Kadaresë dhe vetëm 7 ditë për ta realizuar muralin.
“Ai e solli një propozim shumë interesant, sepse vet tematika e ‘Mural Fest’ është Inteligjenca Artificiale. E solli një Ismail me shumë dimensione të ndryshme në një qendër, në një spot të jashtëzakonshëm, në qendër të Tiranës dhe, pa dyshim, e bëri një vepër shumë të madhe”, thotë Haliti.
Në muret e pallateve në kryeqytet ka më shumë se 100 murale, të realizuara nga artistë të ndryshëm. Këtë vit, në edicionin e gjashtë të “Mural Fest”, marrin pjesë 14 artistë nga e gjithë bota.