Pozita diskuton për çështjen e Presidentit, pa praninë e opozitës

Prishtinë, 27 prill 2026 – Dy grupet parlamentare të koalicionit qeverisës në Kuvendin e Kosovës (grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupi parlamentar i komuniteteve joshumicë) po diskutojnë në një seancë të jashtëzakonshme për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Deputetët e katër grupeve parlamentare në opozitë (Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listës Serbe) nuk po marrin pjesë në këtë  seancë, të cilën e konsiderojnë si të pavlerë derisa nuk ka një marrëveshje të shumicës së nevojshme për një kandidaturë konsensuale për president.

Në fakt, diskutimi për këtë temë nuk ka ndonjë vlerë praktike pasi në këtë seancë nuk ka kuorum për votim të kandidatëve për president. Për votim të vlefshëm nevojitet pjesëmarrja e së paku 80 deputetetëve, ndërsa grupet parlamentare të subjekteve politike në pushtet i kanë më së shumti 66 deputetë.

Në këtë situatë, përfaqësuesit e këtyre grupeve parlamentare vetëm shprehën ose përsëritën qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre tashmë të njohura për publikun lidhur me ngërçin politik që ka çuar në bllokimin e procesit të zgjedhjes së presidentit dhe lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duken të pashmangshme.

Kuvendi i ka vetëm edhe pak më shumë se 24 orë afat për zgjedhjen e presidentit. Në qoftë se nuk arrin që presdidentin ka zgjedhë deri të martën në orën 24:00, Kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe zgjedhjet e reja mbahen brenda 45 ditësh. 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se mungesa e opozitës në seancën për çështjen e presidentit, prodhon pasoja. Ajo tha se deputetët janë të obliguar të jenë të pranishëm në seancë kur votohet për presidentin.

“Mungesa e opozitës është veprim që prodhon pasoja direkte – bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme. S’jam për t’i gjykuar motivet politike të askujt, nuk është në rolin tim si kryetare e Kuvendit ta bëj këtë, por është detyrim i imi ta mbroj funksionimin kushtetues të këtij institucioni, sepse aktgjykimi i Kushtetueses ka sqaruar çështjen në mënyrë përfundimtare – deputetët janë të obliguar të jenë të pranishëm e të votojnë në seancë”, tha Haxhiu.

Kryeministri Albin Kurti e akuzoi opozitën se po e çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ai e akuzoi opozitën për marrëveshjen politike e konsideron si “Pazar”.

“Marrëveshja politike dhe kompromisi mes partive politike për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci. Por, kompromisi në një demokraci duhet të jetë demokratik. Kompromisi nuk është pazar që lidhet për të rehatuar figura politike. Kompromisi i vërtetë, ai që iu shërben qytetarëve ndërtohet mbi dy shtylla të panegociueshme, së pari mbi respektin për rezultatin e zgjedhjeve dhe së dyti mbi përgjegjësinë institucionale dhe demokratike e cila rrjedh nga angazhimi publik dhe nga fakti që je përfaqësues i zgjedhur i popullit”, tha ai.

Kurti tha se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratiker e Kosovës nuk kanë propozuar asnjë kandidat për president,

“Kanë mundur t’isjellin tre emra. Asnjë emër nuk e sollën. Në takime kurrë s’e kanë përmendur asnjë emër”, tha ai.

Ndësa shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se është konsideruar e nevojshme të zhvillohet debati në Kuvend lidhur me çështjen e presidentit. Ajo ka thënë se nuk janë pranuar as emra e as nënshkrime nga partitë opozitare.  

Ajo tha se kjo mungesë “e bllokon një procedurë kushtetuese dhe e shtyn vendin drejt një krize të panevojshme”.

(r.m.)

Comment

*