Prattipati e Sveçla diskutuan për bashkëpunimin SHBA-Kosovë në fushën e sigurisë

Prishtinë, 27 shkurt 2026 – E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar të premten me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, në kuadrin e takimeve me anëtarë të kabinetit të ri qeveritar.

Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi se në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës në fushën e sigurisë dhe policisë. Në njoftim thuhet se në takim është theksuar rëndësia e stabilitetit rajonal dhe koordinimit të ngushtë të veprimeve në prioritet e përbashkëta në fushë të sigurisë.

‘’E Ngarkuara me Punë Anu Prattipati u takua me ministrin e saporiemëruar të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për të diskutuar për bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Kosovës në fushën e sigurisë dhe policisë. Në takim u theksua rëndësia e stabilitetit rajonal dhe koordinimit të ngushtë për prioritetet e përbashkëta të sigurisë’’, thuhej në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.

Ndërsa ministri Sveçla njoftoi se diplomaten amerikane e ka njoftuar me të arriturat dhe prioritetet e ministrisë që e udhëheq në fushë të sigurisë.

“E informova mbi të arriturat e deritanishme dhe për prioritetet tona në fushën e sigurisë, mbi të cilat do të angazhohemi gjatë mandatit të ri qeverisës. Falënderova znj. Prattipati për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për institucionet tona, në funksion të sigurisë dhe stabilitetit të vendit tonë dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

(r.m.)

Comment

*