Prattipati: Institucionet paralele serbe duhet të integrohen në sistemin e Kosovës

Prishtinë, 4 shtator 2025 – E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka thënë se institucionet paralele të Serbisë në Kosovë duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

“Ne kemi qenë të qartë për këtë çështje. Institucionet paralele të udhëhequra nga serbët duhet përfundimisht të përfshihen në sistemin e Kosovës”, ka thënë ajo, në një intervistë me një grup gazetarësh të mediave në gjuhën serbe në Kosovë.

“Ne i kuptojmë ndjeshmëritë që lidhen me ofrimin e arsimit dhe kujdesit shëndetësor për komunitetin serb të Kosovës dhe kemi shprehur vazhdimisht shqetësim për mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura”, ka thënë ajo, transmeton portali “Kossev.info”.

Prattipati ka thënë se rëndësi kyçe ka mënyra se si do të ndodhë integrimi i këtyre strukturave në sistemin e Kosovës.

“Të gjitha ndryshimet që prekin komunitetin serb të Kosovës, duhet të implementohen në konsulta me këtë komunitet. Nuk ka alternative tjetër”, ka theksuar ajo.

Diplomatja amerikane ka thënë se SHBA-ja është e shqetësuar me veprimet e qeverisë së Kosovës që kanë rritur mosbesimin e serbëve në Kosovë ndaj institucioneve të Kosovës.

“SHBA ka mbështetur me krenari rrugën e Kosovës drejt bërjes një vend sovran, demokratik, multietnik dhe të begatë. Por jemi të shqetësuar për veprimet e qeverisë së përkohshme dhe për lëvizjet që kanë rritur tensionet, sidomos në raport me trajtimin e serbëve,” ka thënë Pratipati.

Ajo ka theksuar se SHBA pret që Qeveria e Kosovës të kujdeset që serbët të kenë shanse të barabarta dhe të marrin plotësisht pjesë në jetën politike të Kosovës.

“Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti është përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurohet që serbët të kenë shanse të barabarta dhe të marrin plotësisht pjesë në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë”, ka thënë ajo.

Por, Prattipati ka theksuar gjithashtu se serbët në Kosovë duhet të marrin pjesë në institucionet e Kosovës dhe në ndërtimin e një të ardhmje më të mirë për të gjithë në Kosovë.

“Kur nuk jeni në tavolinë, për ju vendosin të tjerët. Pjesëmarrja ju siguron rol në formimin e së ardhmes”, ka theksuar ajo.

(r.m.)