Prishtinë, 19 maj 2025 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë njoftoi se e ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Anu Prattipati, ka realizuar të hënën një vizitë në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ku ka takuar përfaqësues politikë e të Policisë së Kosovës si edhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në njoftimin e ambasadës në Facebook thuhet se diplomatja amerikane e ka përsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se siguria dhe stabiliteti janë çështje thelbësore në Kosovë. Ajo ka theksuar se është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës “të sigurojë që të gjithë qytetarët të mund të jetojnë në një mënyrë paqësore”.
“E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pati sot një vizitë produktive në veri të Kosovës, duke u takuar me udhëheqës të shoqërisë civile, përfaqësues politikë dhe Policinë e Kosovës. E ngarkuara me punë përsëriti qëndrimin e qeverisë së SHBA-së: stabiliteti dhe siguria janë thelbësore. Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të sigurojë që të gjithë qytetarët të mund të jetojnë në një mënyrë paqësore”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
(r.m.)