Premtimi i harruar i Selanikut

Florian Bieber

Premtimi i BE për integrimin e Ballkanit Perëndimor, deri tani nuk është përmbushur. Kjo e nxit autokratët në rajon. Lufta kundër Ukrainës po bën edhe më të qartë, se sa i rëndësishëm është procesi i anëtarësimit.

Se si mund të shkojë më tej, këtë e kemi përkufizuar së fundi në grupin Balkans in Europe Policy Advisory Group (BiEPAG): Zgjerimi i BE-së që nga viti 2022 nuk është më një proces vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë, si dhe potencialisht edhe për shtete si Gjeorgjia. Kjo i jep procesit sërish një rëndësi më të madhe politike. Kjo do të thotë, që shtetet duhet të kenë një të ardhme të planifikueshme në BE, pa abuzuar me të drejtën e vetos nga anëtarët e BE-së, si praktikohet nga Bullgaria në rastin e Maqedonisë së Veriut.

Heqje dorë prej konceptit të stabilokracisë

Për anëtarët e ardhshëm nevojiten edhe më shumë paratë e BE-së, në mënyrë që të zbuten dallimet në zhvillim mes anëtarëve të unionit dhe atyre vendeve që do të anëtarësohen. Demokracia dhe shteti ligjor duhet të mbeten në fokus të zgjerimit. Komisari aktual i zgjerimit, Oliver Varhelyi, si krahu i zgjatur i Viktor Orbanit minon besimin e BE-së kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Ukrainës. Për këtë duhet një komisar me më shumë peshë dhe me një background më të përshtatshëm.

Gjithashtu BE nuk duhet që të vazhdojë të heqë dorë prej demokracisë në Ballkan për hir të një gjoja stabiliteti apo bashkëpunimi kundër Rusisë. Stabilokratët e rajonit, pra autokratët, që i shesin BE-së premtimin për stabilitet në këmbim të demokracisë, duhet të demaskohen, e në radhë të parë presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Premtimi i Selanikut i rëndësishëm edhe për Ukrainën

Se sa e vështirë është kjo, e tregon fakti, që një bashkëautore e studimit tonë, Jovana Marovic, ish-ministre për Integrimin Europian në Mal të Zi, më 23 gusht 2023 u arrestua në aeroportin e Beogradit dhe iu refuzua udhëtimi në Serbi. Ajo sipas autoriteteve serbe paraqiste “rrezik për sigurinë”. Një praktikë e tillë ndaj politikanëve nga vendet fqinj të Serbisë nuk është e re – me këtë  Vuçiq ka hapur një etapë të re përshkallëzimi, jo vetëm ndaj Malit të Zi, pavarësinë e të cilit Serbia nuk e ka pranuar asnjëherë, por edhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ka një sërë propozimesh të reja për metodat e zgjerimit, por në fund asnjëra nuk do të funksionojë, nëse mungon vullneti politik. BE-ja duhet të jetë e gatshme, që t’i pranojë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nëse ato i plotësojnë kushtet.

Nëse BE-ja nuk ia del, ta integrojë në union Ballkanin Perëndimor, atëherë tingëllon jo bindës edhe çdo premtim për antarësimin e Ukrainës. Shkurt, me këtë mënyrë rrezikohet shumë më tepër, se sa vetëm një premtim i vjetër para 20 vjetësh, që deri tani nuk është mbajtur.

(Marrë nga DW)