Prishtinë, 9 mars 2026 – Presidenca e Kosovës shpjegoi përse Presidentja Vjosa Osmani nuk e ka dekretuar ende datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha se Presidentja nuk e ka nënshkruar ende dekretin për datën e zgjedhjeve, sepse është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit. Ai ka thënë se Presidentja do ta mirëpresë edhe vendosjen eventuale të masës së përkohshme për dekretin e shpërndarjes së Kuvendit, ndonëse masa e përkohshme nuk e paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për kt dekret.
“Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse, siç i ka njoftuar edhe partitë në takimin konsultativ, ajo është në pritje të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha ai të hënën.
Presidentja Osmani më 6 mars e nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, gjë që do ta çonte vendin e zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Osmani, në njoftimin për nxjerrjen e ktij dekreti, ka thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, meqë mandati i saj përfundon më 4 prill. Ajo ka theksuar se afati 60-ditor pr zgjedhjen e presidentit do të duhej të rridhte para 5 marsit.
Menjëherë pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, Presdientja Osmani u takua me liderët e partive politike për të diskutuar për datën e zgjedhje të parakohshme. Në takim morën pjesë kryetarë vetë liderët e tri partive opozitare: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e bojkotoi takimin me Presidenten.
Tw hwnwn, Lëvizja Vetëvendosje e dwrgoi nw Gjykatwn Kushtetuese dekretin e Presidentes Osmani pwr shpwrndarjen e Kuvendit. Sipas kësaj partie, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues, sepse procedurat për zgjedhjen e presidentit kanë nisur më 5 mars, dhe Kuvendi i ka 60 ditë afat për të përfunduar procedurat.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës më 5 mars, Lëvizja Vetëvendosje i propozoi dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, për të përmbushur kriterin që në garën për president duhet të jenë së paku dy kandidatë. Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi për votim, pasi deputetët e partive opozitare e braktisën seancën.
Juristët kanë dy intepretime të ndryshme për dispozitat kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe me shpërndarjen e Kuvendit.
(r.m.)