Presidenca e Kosovës i reagon AAC-së: Maqedonia e Veriut i ka shkelur rregullat ndërkombëtare

Prishtinë, 9 gusht 2024 – Presidenca e Kosovës ka reaguar ndaj raportit të Agjencisë së Aviacionit Civil të Maqedonisë së Veriut ku thuhet se shërbimet e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit kanë vepruar sipas rregulloreve ndërkombëtare në rastin e Presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani, më 2 gusht.

Incidenti me presidenten Osmani ka ndodhur pasi sigurimi i aeroportit ia ka kërkuar presidentes telefonin personal të saj për të future në skaner.

Në reagimin e Presidencës thuhet se në sjelljen e sigurimit të aeroportit të Shkupit “Presidenca ka nuk ka asgjë profesionale”.

“Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner”, thuhet në reagim.

Aty theksohet se kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim në asnjë vend të botës.

“Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit”, thuhet më tutje në reagim.

Zyra e Presidentes së Kosovës thekson se Maqedonia e Veriut “i ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë, duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”.

“Maqedonia e Veriut është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit”, thekson Presidenca e Kosovës.

Presidenca e Kosovës njoftoi se Presidentja Osmani nuk është kthyer në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Shkupit sepse ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për udhëtim nëpërmjet këtij aeroporti.

(r.m.)