Presidenca e Kosovës: Serbia po i detyron serbët e Kosovës t’i braktisin institucionet

Prishtinë, 5 nëntor 2022 – Presidenca e Kosovës vlerëson se vendimi i Listë Serbe për braktisjen e institucioneve të Kosovës është nxitur nga Beogradi.

Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se ky akt “i ngjan nxitjes së Rusisë në Donbas në vitin 2014”.

Ai ka thënë gjithashtu se Lista Serbe është “një mjet për të destabilizuar Kosovën nga regjimi i Vuçiqit”.

“Serbia po i detyron dhe po i nxit serbët e Kosovës që të braktisin punën e tyre në institucionet e Kosovës. Ky akt i ngjan nxitjes së Rusisë në Donbas në vitin 2014. Gjithashtu tregon se Lista Serbe është ‘gllabëruar‘ dhe trajtohet si një mjet për të destabilizuar Kosovën nga regjimi i Vuçiqit”, ka shkruar Vela në Twitter.

Udhëheqja e Listës Serbe, në një takim me kryetarët e katër komunave në veri dhe me deputetë, pjesëtarë të kabinetit qeveritar e zyrtarë të policisë, gjyqësisë, prokurorisë dhe administrates, ka vendosur për largim nga institucionet e Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike; nga Kuvendi, nga Qeveria dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe nga gjyqësori, policia dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

(r.m)