Presidenca nuk e ka pranuar ende Ligjin e ri për Gjykatën Speciale

Prishtinë, 13 tetor 2026 – Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se ende nuk e ka pranuar Ligjin e ri për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë.

Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë, ka thënë se, sipas procedurës së zakonshme, Kuvendi ia përcjell ligjet për dekretim Presidentit pas mbylljes së afatit 8-ditor për kontestimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Presidentja Shiroka Pula i ka 8 ditë afat për të vlerësuar dhe për të vendosur.

“Presidenca nuk e ka pranuar ende Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas procedurës, Kuvendi e dërgon te Presidentja vetëm pas mbylljes së afatit 8-ditor për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, deri më 15 tetor. Pastaj Presidentja Shiroka Pula i ka në dispozicion 8 ditë për të ndërmarrë veprime”, ka thënë Kupina për Telegrafin.

Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se deri më sot asaj nuk i është drejtuar asnjë kërkesë për vkerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjitt ë ri për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Deri më tani, në Gjykatën Kushtetuese nuk është parashtruar ndonjë kërkesë e kësaj natyre”, ka thënë Kushtetuesja.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili është hartuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Projektligji u hartua pas akgjykimit dënues të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 81 vjet burgim për krime lufte, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

(r.m.)