Presidenca: “Vendim antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist”

Tiranë, 9 qershor 2021 – Kabineti i Presidentit të Republikës ka reaguar me shpoti pas votimit në Parlament për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

 Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, në reagimin e publikuar në “Facebook”, ka shkruar se ky votim nuk përbën kurrfarë surprize.

“Asnjë surprizë nga tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, partnerët dhe vasalët e oligarkëve, mafia e inceneratorëve, grabitësit e votave, parave dhe të pronave të shqiptarëve, përfshi edhe torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit”, ka shkruar ai.

Blushi ka shkruar se Presidenti nuk është  aspak i shqetësuar nga vendimi i parlamentit, të cilin e ka cilësuar “antikushtetues dhe qesharak”, ndërsa parlamentin e ka cilësuar “landfill parlamentar monist”.

Ai ka theksuar se ky vendim “do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit”, ndërsa gazetarët i ka këshilluar të merren me “gjëra serioze”.

“Merruni me gjëra serioze, zbardhjen, hetimin e plotë dhe dënimin e krimeve zgjedhore”, ka shkruar ai.

Zëdhënësi i Presidentit Meta e ka shoqëruar reagimin e tij me një foto të sallës së Parlamentit të Shqipërisë, të shndërruar në landfill.

Reagimi i plotë i Blushit:

Zero shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist, që do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit, se si një Kuvend pa opozitë, që edhe pse është shkarkuar me votë nga populli, voton për shkarkimin e një institucioni tjetër!

Asnjë surprizë nga tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, partnerët dhe vasalët e oligarkëve, mafia e inceneratorëve, grabitësit e votave, parave dhe të pronave të shqiptarëve, përfshi edhe torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit.

Të paktën veç pensionit të përjetshëm, i siguruat edhe për këtë vit një palë pushime qyl!

Bravo ju qoftë, që nuk dolët pa gjë nga kjo shëmti!

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar.

Një ftesë e sinqertë edhe për kolegët gazetarë: Merruni me gjëra serioze, zbardhjen, hetimin e plotë dhe dënimin e krimeve zgjedhore!

This image has an empty alt attribute; its file name is Tedi-Blushi-Landfilli-parlamentar-monist-640x564.png

(r.m.)