Dayton, 24 maj 2025 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Forumin për Partneritet dhe Paqe dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton, është pritur në një takim të përzemërt nga komuniteti shqiptar në Philadelphia.
Fëmijët e këtij komuniteti, nxënës të shkollës për mësimin e gjuhës shqipe, të organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes”, i kanë uruar mirëseardhje Presidentit Begaj me himnin shqiptar, himnin amerikan dhe këngë me motive patriotike.
Presidenti Begaj ka përgëzuar komunitetin dhe mësuesit e shkollës për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe për promovimin e kulturës shqiptare.
“Falënderim dhe mirënjohje për secilin, nga ju, secilin nga ju që është këtu, secilin shqiptar që jeton e punon në Philadelphia, për të gjithë punën që bëni, për gjithçka që bëni për të promovuar dhe mbrojtur identitetin kombëtar. Një falënderim i veçantë për mësuesit e gjuhës shqipe, ata mësues që kanë mësuar nxënësit të këndonin aq bukur në shqip”, ka thënë ai.
Gjatë takimit me komunitetin shqiptar, Presidenti Begaj e ka vlerësuar kontributin e emigracionit shqiptar në Amerikë për afirmimin e çështjes shqiptare në institucionet shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Është një histori që meriton mirënjohje dhe vlerësim maksimal. Duke ardhur nga kaq larg, shumëkush do të mendonte se mund të ishim asimiluar, por përkushtimi juaj, përkushtimi i prindërve të fëmijëve që i pamë sot bën të mundur të vazhdojë shqiptaria, të jetë brez pas brezi. Shumë faleminderit që kontribuoni edhe për shtetin amë”, ka thënë ai.
Presidenti Begaj i ka vlerësuar edhe iniciativat e shqiptarëve për ngritjen e shoqatave dhe rrjeteve të bashkëpunimit mes njëri-tjetrit, me synim integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane, duke ruajtur njëkohësisht identitetin kombëtar.
“Falënderim, vlerësim dhe mirënjohje për fiasporën e shqiptarisë kudo ku ajo është! Jeni burim frymëzimi, jeni energji e pashtershme, jeni kontribut i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për shqiptarinë, për identitetin tonë kombëtar”, është shprehur ai.
Presidenti Begaj ka përcjekllë një falënderim të veçantë për autoritetet lokale në Philadelphia që i kanë mbështetur projektet e komunitetit shqiptar, përfshirë atë për emërtimin e “Willits Road” me emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Presidenti i Shqipërisë e ka vizituar edhe qendrën “Shtëpia e shqiptarit”, të ngritur nga shoqata “Bijtë e Shqipes”.




(r.m.)