Tiranë, 31 korrik 2024 – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i kërkoi të mërkurën Kuvendit që të hetojë rolin e Bankës së Shqipërisë në të ashtuquajturin “skandali i mikrokredive”, duke renditur një sërë argumentesh për dështimin e këtij institucioni në mbrojtjen e mijëra qytetarëve që ranë pre e skemave abuzive me kreditë e këqija.
Në një letër të paprecedentë, Begaj ngre shqetësimin për situatën e krijuar dhe vë në pikëpyetje rolin ligjor që ka luajtur Banka e Shqipërisë në licensimin e skemës së shitjes së këtyre kredive dhe mosmarrjen e masave për të ndaluar në kohë abuzimin.
Apeli për reagim i drejtohet kryetares së re të Kuvendit, Elisa Spiropali, Komisionit të Ekonomisë dhe Financave dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, ku Begaj kërkon që të japin “zgjidhjen e plotë, të suksesshme, përfundimtare e të pakthyeshme” për fenomenin.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, Spiropali dhe kryetari i komisionit të financiare, Eduart Shalsi, nuk iu përgjigjën interesit të BIRN-it se cilat do të jenë hapat që do të ndërmarrë Kuvendi për të adresuar këtë shqetësim.
Ndërkohë, në letrën e tij Presidenti bën një tablo të përgjigjeve që guvernatori Gent Sejko i ka nisur atij për rolin që ky institucion ka pasur në licensimin dhe mbikqyrjen e mekanizmit të shitjeve të kredive të këqija, duke konstatuar se ky rol nuk ka arritur të mbrojë interesin e qytetarëve.
“Përhapja në një masë të madhe njerëzish dhe për një kohë relativisht të gjatë e kësaj skeme abuzimi ka krijuar hapësira për të hedhur dyshimin se sistemet mbikëqyrëse nuk kanë funksionuar apo që janë penguar me dashje të funksionojnë,” shkruan Begaj, duke mos e quajtur “bindës” përgënjeshtrimin e bërë nga organet kompetente.
Sipas tij, vepra penale e “grabitjes” së qytetarëve tregon se abuzimi ka ndodhur për një kohë të gjatë dhe nga subjekte të cilat kanë qenë nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore, ku ai përmend jo vetëm BSH, por dhe Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Privatë dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Sipas presidentit, denoncimet e qytetarëve në këto institucione nuk kanë marrë seriozitetin që duhej.
“Në mënyrë të veçantë, modus operandi dëshmon për abuzime flagrante të përmbaruesve me tagrat e tyre ligjore, të cilat duhet të ishin zbuluar dhe korrigjuar nga çdo inspektim rutinë i autoriteteve shtetërore,” konstaton presidenti.
Në këtë kontekst, kreu i shtetit i kërkon Kuvendit që të ndërmarrë hapa administrativë dhe ligjorë duke mos ia lënë këtë çështje vetëm drejtësisë.
“Ngjarjet që kanë ndodhur janë një motiv shumë i fortë për reflektim’ shkruan Begaj duke sugjeruar se “komisionet parlamentare lipset të ndihmojnë institucionin (BSH) në këtë reflektim”.
Duke analizuar veprimet dhe mosveprimet e BSH-së në të gjithë mekanizimin se si lindi dhe funksionoi skema e abuzimit me kreditë e këqija, presidenti thekson se kuvendi duhet të bëjë “vlerësim edhe në këndvështrimin administrativ për të parë shkallën e funksionimit të mekanizmave mbikëqyrës ligjorë”.
Sipas kreut të shtetit, Kuvendi duhet të bëjë korigjimet me qëllim “që të parandalohet shumëfishimi i modelit abuzues dhe kërcënimi që ai sjell për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare”.
Begaj rreshton disa “fakte” që tregojnë për rolin e që ka pasur BSH në këtë proces duke e cilësuar “jo koherente” vendimin e Këshillit Mbikqyrës për të ligjëruar praktikën e blerjeve të kredive të këqija nga isntitucionet jobanka të mikrokredive.
Nga ana tjetër, Begaj vëren se “Banka e Shqipërisë nuk ndërmori asnjë masë për veprimin jashtë kushteve të licencës nga shoqëritë e mikrokredisë që kishte licencuar deri në këtë datë”.
Ai i kërkon parlamentit që trajtojë këtë “tolerancë institucionale”, që të ndikohë në vigjilencën e enteve të pavarura mbikëqyrëse ndaj praktikave të kësaj natyre, duke shtuar se “dalja nga kushtet e licencës, pa pasur frikë se mekanizmi ligjor të ndëshkon, nuk ka se si të jetë fenomen ekskluziv financiar”.
Arsyetimet juridike që BSH i ka dërguar institucionit të presidentit, quhen të pamjaftueshme nga ana e tij për të analizuar shkeljet e këtyre subjekteve të rregullores, duke kërkuar po ashtu ndëryrjen e parlamentit për të ndërhyrë.
Sipas presidentit, “komisionet parlamentare kanë të gjithë mundësinë që të ndikojnë mbi institucionet e pavarura për të uniformizuar praktikën e interpretimit të ligjit dhe për të mos lejuar favorizimin e subjekteve nën mbikëqyrje, duke dobësuar pushtetin mbikëqyrës të vetë institucioneve”.
Ai po ashtu kërkon nga Kuvendi që të krijojë qartësi në dispozitat ligjore të përmbaruesve dhe kërkon që institucionet shtetërore të tregojnë se janë në anën e qytetarëve dhe jo të abuzesve.
Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020, zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore dhe se në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria ‘Micro Credit Albania’ si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.
Nga ana tjetër hetimi i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerësoi se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj për masa të vonuara ose të papërshtatshme për të frenuar këtë skemë, por Guvernatori Gent Sejko i hoqi përgjegjësitë nga vetja dhe institucioni që drejton gjatë raportimit të fundit në Kuvend.
(Reporter.al)