Presidenti Begaj: Sulmet kibernetike nga Irani janë shtuar

Tiranë, 13 qershor 2023 – Thuajse një vit nga sulmi ndaj infrastrukturës digjitale të Shqipërisë, Presidenti Bajram Begaj tha sot se aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe të financuar nga Republika Islamike e Iranit, e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Këto komente Kreu i Shtetit, i bëri në hapje të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, të thirrur prej tij për të vlerësuar pikërisht gjendjen e sigurisë kibernetike dhe masat e marra.

Presidenti Begaj tha se “sulmet janë shtuar në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuara dhe më komplekse duke rritur shkallën e vështirësisë së përballimit të tyre”. Ai bëri më pas të ditur se kërcënimet nga Irani ndaj sigurisë kombëtare, nuk lidhen vetëm me sulmet kibernetike, por dhe me ato në formën e propagandës apo me natyrë hibride.

Në mesin e korrikut të vitit të kaluar Shqipëria u gjend nën sulme masive, duke nxjerrë jashtë funksionet pjesën dërrmuese të shërbimeve publike online. Pak ditë më pas, kryeministri Rama tha se “ky është një agresion i organizuar nga një shtet”. Një hetim, në të cilin u angazhuan dhe skuadra të Microsoft-it, si dhe ekspertë amerikanë, përfshirë FBI-në, zbuloi se “agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është dhe orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”, deklaroi në fillim të shtatorit zoti Rama, duke njoftuar se si “një masë proporcionale”, qeveria kishte vendosur ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Shqipëria mori një mbështetje të hapur ndërkombëtare, veçanërit nga Shtetet e Bashkuara, të cilat më 9 shtator, vendosën sanksione të reja ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj. Pak orë më pas një tjetër sulm kibernetik goditi sistemet e policisë shqiptare, duke krijuar vështirësi, veçanërisht në pikat e kalimit kufitar.

Pavarësisht garancive të autoriteteve se të dhënat nuk ishin prekur, periodikisht materialet e grabitura, u hodhën online, që nga emailet e kryeministrit, te numrat e celularëve, apo dhe komunikimet e drejtorit të policisë.

(Zëri i Amerikës)