Uashington, 26 nëntor 2024 – Presidenti amerikan Joe Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump në janar, tha Shtëpia e Bardhë të hënën, duke e quajtur atë një “angazhim ndaj vlerave tona demokratike” pavarësisht se zoti Trump nuk kishte qenë i pranishën në ceremoninë e betimit të Presidentit Biden në 2021.
Presidenti i atëhershëm Donald Trump refuzoi të merrte pjesë në inaugurimin e zotit Biden në vitin 2021, pasi pretendoi në mënyrë të rreme se zgjedhjet, që i fitoi zoti Biden, ishin të manipuluara dhe përsëriti këto akuza në një tubim në Uashington, para se një pjesë mbështetësve të tij të sulmonte Kapitolin.
“Presidenti premtoi se do të merrte pjesë në inaugurimin e kujtdo që të fitonte zgjedhjet”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Andrew Bates para gazetarëve.
“Ai dhe Zonja e Parë do ta mbajnë premtimin dhe do të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit”.
Zëdhënësi Bates shtoi: “Ai e sheh këtë si një demonstrim të rëndësishëm të përkushtimit ndaj vlerave tona demokratike dhe për nderimin e vullnetit të popullit, ndërsa ne vazhdojmë të ofrojmë një tranzicion të rregullt dhe efektiv.”
Pavarësisht se në mënyrë të përsëritur e cilësoi zotin Trump si një kërcënim për demokracinë gjatë fushatës së zgjedhjeve të këtij viti, demokrati Biden ka vendosur t’i sigurojë Trumpit një tranzicion të qetë edhe pse republikani Trump ia mohoi atij këtë.
Presidenti Biden e ftoi Presidentin e sapozgjedhur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë një javë pas zgjedhjeve të 5 nëntorit, në të cilat ai fitoi ndaj rivales demokrate, Nënpresidentes Kamala Harris.
Biden, 82 vjeç, u tërhoq nga gara për një mandat të dytë në korrik dhe mbështeti Nënpresidenten Harris pasi një paraqitje katastrofike në debatin me zotin Trump shkaktoi frikë tek demokratët për moshën dhe shëndetin e tij mendor.
(Zëri i Amerikës)