Presidenti Biden në vizitë në Arabinë Saudite

Xheda, 15 korrik 2022 – Një takim vendimtar që shihet si mundësi për të ndrequr një nga marrëdhëniet diplomatike më të rëndësishme në botë, u duk se nisi ftohtë të premten, ndërsa Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman priti Presidentin Joe Biden në pallatin mbretëror.

Takimi i parë mes tyre, që u filmua nga televizioni saudit, ndodhi kur Presidenti Biden doli nga limuzina e tij presidenciale në qytetin Xhedah, çka shënon dhe fillimin e një vizite që synon të rivendosë partneritetin mes dy vendeve.

Kontakti i parë mes dy udhëheqve shfaqi pak prova për ndonjë ngrohtësi mes tyre dhe asnjë nga gjestet e afërsisë që Presidenti Biden ose Princi i Kurorës shfaqin zakonisht kur përshëndesin udhëheqës të tjerë botërorë.

Deri më tani, Presidenti Biden kishte refuzuar të bisedonte me Princin Mohammed, që mendohet se do të jetë trashëgimtari i fronit që aktualisht mbahet nga babai i tij, Mbreti Salman. Zoti Biden ka kritikuar ashpër mbretërinë e pasur me naftë për abuzimet lidhur me të drejtat e njeriut, veçanërisht për vrasjen e Jamal Khashoggit, gazetarit që punonte për gazetën “The Washington Post”.

Por këto shqetësime tashmë duket se janë eklipsuar nga sfida të tjera, mes tyre rritja e çmimit të gazit dhe agresioni iranian në Lindjen e Mesme. Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite po përpiqet të forcojë marrëdhëniet e saj të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe po përpiqet të sigurojë investime për të transformuar ekonominë e saj, që të jetë më pak e varur nga nafta.

Sauditët kishin organizuar një pritje të përmbajtur për Presidentin Biden në aeroportin në Jeddah, pa asnjë nga ceremonitë që shoqëruan vizitën e tij këtë javë në Izrael. Presidenti Biden u përshëndet nga guvernatori i Mekës, Princi Khalid bin Faisal dhe ambasadorja e Arabisë Saudite në SHBA, Princesha Reema bint Bandar, dhe më pas shkoi me limuzinë në pallatin mbretëror.

Presidenti pritet të takohet me mbretin Salman, monarkun 86-vjeçar i cili po shfaq probleme me shëndetin dhe është shtruar dy herë në spital këtë vit. Më pas ai do të merrte pjesë në një takim më të gjerë, ku do të jetë i pranishëm edhe Princi Mohammed, trashëgimtari i supozuar i fronit, i cili njihet me inicialet e tij, MBS.

E ardhmja e rajonit, përfshirë mundësinë e lidhjeve më të ngushta mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, si dhe luhatjet e furnizimit me naftë në botë mund të varen nga marrëdhënia mes presidentit të SHBA-së dhe princit saudit të kurorës.

Vizita mund të jetë duke u parë tashmë si një fitore për Princin Mohammed. Ngritja e tij në pushtet ka çuar në një epokë të re për mbretërinë, ndërsa ajo punon për të ndërtuar industrinë ushtarake e të armëve në vend, me synimin për të mos patur vetëm naftën mbështetje për të ardhurat, si dhe për të ndërtuar lidhjet me Izraelin.

Takimi me Presidentin Biden mund t’i japë një legjitimitet më të madh planeve të princit të kurorës dhe synimeve të tij drejt fronit bretëror.

Ka pasur spekulime të konsiderueshme se si zoti Biden do ta trajtonte vizitën në Arabinë Saudite, qoftë nga pikëpamja e jashtme ashtu edhe për nga thelbi i saj, ndërsa në cilësinë e kandidatit për president, ai e ka kritikuar këtë vend lidhur me qasjen ndaj të drejtave të njeriut.

I pyetur nëse zoti Biden do të shtrëngonte duart me princin e kurorës, një zyrtar i lartë i administratës vuri në dukje se Shtëpia e Bardhë është “e përqendruar tek takimet, jo tek përshëndetjet”.

Vitin e kaluar, administrata Biden lejoi publikimin e një raporti të zbulimit amerikan që përcaktonte se princi i kurorës kishte të ngjarë të kishte miratuar vrasjen e gazetarit Khashoggi. Publikimi i raportit shkaktoi një krisje të mëtejshme në marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite.

“Pikëpamjet e mia mbi (çështjen) Khashoggi kanë qenë absolutisht të qarta. Dhe kurrë nuk kam heshtur për sa i takon të drejtave të njeriut”, ka thënë zoti Biden. “Arsyeja pse po shkoj në Arabinë Saudite është shumë më e gjerë. Është për të mbështetur interesat e SHBA-ve, në një mënyrë që sipas mendimit tim e kemi bërë gabim, duke u hequr dorë: nga ndikimi ynë në Lindjen e Mesme”.

Zoti Biden mbërriti në qytetin-port të Detit të Kuq, Jeddah, në ditën e tretë të një udhëtimi katër-ditor në Lindjen e Mesme. Në dy ditët e para ai u takua me zyrtarë izraelitë dhe udhëtoi në Bregun Perëndimor të premten për t’u takuar me Presidentin e autoritetit palestinez Mahmoud Abbas dhe të tjerë zyrtarë përpara se të nisej për në Arabinë Saudite.

Autoritetet saudite ndërmorën një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin përpara vizitës së zoti Biden, duke njoftuar të premten herët në mengjes, se kishin hapur hapësirën ajrore për të gjithë avionët e Izraelit, duke sinjalizuar fundin e kufizimeve të rrepta për fluturimet e tij mbi territorin e mbretërisë.

Zoti Biden e përshëndeti vendimin si “një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një rajoni më të integruar dhe më të qëndrueshëm në Lindjen së Mesme”. Ai shtoi se vendimi “mund të ndihmojë në krijimin e momentit të duhur drejt integrimit të mëtejshëm të Izraelit në rajon, duke përfshirë Arabinë Saudite”.

Përpara se të kthehet në Uashington zoti Biden do të marrë pjesë në një takim të shtunën të udhëheqësve të Këshillit të Bashkëpunimit të vendeve të Gjirit – Bahreini, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në takim do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Egjipti, Iraku dhe Jordania.

Vizita në Arabinë Saudite është një nga më delikatet me të cilat është përballur Presidenti Biden në skenën ndërkombëtare. Çdo sinjal respekti mes zotit Biden dhe princit saudit të kurorës, mund t’i ndihmojë të dyja palët të qetësojnë marrëdhëniet.

(Zëri i Amerikës)