Presidenti i Azerbajxhanit në Tiranë, premton dyfishim të furnizimit të Europës me gaz

Tiranë, 15 nëntor 2022 – Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, deklaroi në Tiranë se vendi i tij ka në plan të dyfishojë furnizimin me gaz për Europën, duke shtuar sigurinë energjitike të saj.

Gjatë vizitës së parë në në Tiranë, ai theksoi se memorandumi i bashkëpunimit, i nënshkruar me Bashkimin Europian në muajin korrik, parashikon dyfishimin e furnizimit të Europës me gaz në 5 vitet e ardhshme.

Zoti Aliyev tha se ky gaz do të kalojë përmes Shqipërisë dhe do të rritë sigurinë energjitike të kontinentit.

Ai kujtoi se Azerbajxhani dhe Shqipëria janë anëtarë të projektit të gazsjellësit TAP dhe se dy vendet kanë bashkëpunuar me shumë sukses në zbatimim e projektit të korridorit jugor të gazit.

Në konferencën e përbashkët me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, zoti Aliyev tha se gazi natyror i Azerbajxhanit po i kontribuon sigurisë energjitike të Europës.

“Në korrik patëm një takim komisioni mes BE dhe Azerbajxhanit, ku u nënshrkua një memorandum bashkëpunimi strategjik. Deri në 2027 mbështetur në këtë memorandum kemi në plan të dyfishojmë furnizimin me gaz për Europën. Ky gaz do të kalojë përmes Shqipërisë dhe kjo do të japë mbështetje dhe kontribut shtesë sigurisë energjitike të Europës”, tha zoti Aliyev.

Ai theksoi se rezervat natyrore të gazit në Azerbajxhan janë shumë të pasura dhe aktualisht dy gazsjellësit TAP dhe TANAP, edhe pse sapo janë përuruar dy vitet e fundit, mund të diskutohet për të dyfishuar kapacitetet e tyre, meqenëse ka nevojë për këtë.

Presidenti Aliyev tha se Azerbajxhani është i gatshëm të marrë pjesë si investues në ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri, e cila nuk ka një rrjet përhapje të mirëzhvilluar.

Ndërsa Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se bashkëpunimi për projektin TAP ishte i suksesshëm dhe vazhdimi i këtij bashkëpunimi është mëse i nevojshëm, sepse Shqipëria synon të kthehet nga vend tranzit i gazit në përfitues i tij dhe brenda vitit 2030 duhet të ngrejë infrastrukturën e gazifikimit.

“Gazsjellësi Adriatiko-Jonian IAP, – përmes TAP-it, – lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë e Bosnjën, duke e kthyer vendin tonë në një shpërndarës dhe diversifikues rajonal të gazit; me rëndësi gjeostrategjike në planin rajonal dhe evropian. Procesi i gazifikimit të Shqipërisë hap mundësi të reja bashkëpunimi. Ne mirëpresim ndihmën nga pala azerbajxhanase për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme njerëzore dhe besojmë se kompanitë nga Azerbajxhani do tëshfrytëzojnë hapësirat për bashkëpunim në këtë sektor, në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, tha zoti Begaj.

Azerbajxhani ka propozuar çeljen e një ambasade në Shqipëri, si fryt i bashkëpunimit të zgjeruar mes dy vendeve, të cilat vendosën marrëdhëniet diplomatike 30 vjet më parë.

Shqipëria shpreson shumë që të përfitojë nga ndërlidhja me rrjetin e furnizimit ndërkombëtar të gazit TAP, një pjesë e të cilit kalon nëpër territorin e saj dhe nisi të funksionojë në fund të vitit 2020.

Por mungesa e rrjetit të brendshëm të shpërndarjes së gazit i ka frenuar përkohësisht këto mundësi.

Ky rrjet sapo ka nisur të ndërtohet dhe brenda pak vitesh Shqipëria do të mund ta shfrytëzojë gazin natyror të TAP për prodhim energjie elektrike, si dhe të diversifikojë burimet e energjisë në sektorë të tjerë.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)