Presidenti i Iranit gjendet i vdekur pas rrëzimit të helikopterit

Teheran, 20 maj 2024 – Presidenti iranian Ebrahim Raisi, ministri i jashtëm i Iranit dhe persona të tjerë, u gjetën të vdekur në vendin e rrëzimit të helikopterit me të cilin po udhëtonin të dielën, pas shumë orë kërkimesh në një rajon malor me mjegull, në veriperëndim të vendit.

Televizioni shtetëror nuk dha asnjë njoftim të menjëhershëm për shkaqet e rrëzimit të helikopterit. Bashkë me presidentin Raisi në helikopter ishin ministri i Jashtëm i Iranit Hossein Amirabdollahian, guvernatori i provincës së Azerbajxhanit Lindor të Iranit dhe zyrtarë të tjerë dhe truproja, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Autoritetet turke publikuan herët të hënën atë që ata e përshkruan si pamje me dron që tregon atë që dukej të ishte një zjarr në shkretëtirë që ata “dyshonin se ishin rrënojat e një helikopteri”. Koordinatat e renditura në pamje, shfaqin vendin e rrëzimit rreth 20 kilometra në jug të kufirit ndërmjet Azerbajxhanit dhe Iranit, në anën e një mali të pjerrët.

Pamjet e publikuara nga agjencia IRNA herët të hënën, shfaqën atë që agjencia e përshkroi si vendin e përplasjes, përgjatë një lugine të pjerrët. Ushtarët që flisnin në gjuhën lokale azere dëgjohen duke thënë: “ja ku është, e gjetëm”. Menjëherë pas kësaj, TV shtetëror në një tekst në ekran shkroi se “nuk ka asnjë shenjë jete të udhëtarëve që ndodheshin në bord”.

Zoti Raisi po kthehej nga një vizitë në Azerbajxhan ku ishte takuar me presidentin Ilham Aliyev për të përuruar një digë.

Pas lajmit për vdekjen e presidentit Raisi, udhëheqës vendesh të ndryshme dërguan mesazhe ngushëllimi, përfshirë edhe kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif, i cili shpalli ditë zie të hënën.

Kryeministri indian Narendra Modi u shpreh i tronditur ndërsa theksoi se “India qëndron me Iranin në këtë kohë pikëllimi”.

Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani shprehu “trishtim dhe pikëllim të madh”.

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe bin Zayed Al Nahyan tha se Emiratet e Bashkuara Arabe “qëndrojnë në solidaritet me Iranin në këtë kohë të vështirë”.

Presienti rus, Vladimit Putin, tha se presidenti Raisi ishte një politikan i shquar, që i kushtoi gjithë jetën e tij atdheut.

“Si një mik i vërtetë i Rusisë, ai dha një kontribut të paçmuar personal në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis vendeve tona dhe bëri përpjekje të mëdha për t’i sjellë ato në nivelin e partneritetit strategjik”, tha presidenti rus.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, theksoi në një postim në rrjetin X përpjekjet e zotit Raisi “për paqen e popullit iranian dhe rajonit tonë gjatë kohës së tij në pushtet. E kujtoj zotin Raisi me respekt dhe mirënjohje”, shkroi ai.

Sipas Kushtetutës së Iranit nëse presidenti vdes ose është i paaftë, vendin e tij e zë zëvendëspresidenti i parë. Të hënën ky rol iu nda zotit Mohammad Mokhber, derisa të mbahen zgjedhjet e reja presidenciale brenda 50 ditësh. Presidenti është vartës i udhëheqësit suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei, i cili ruan autoritetin e tij përfundimtar mbi punët e vendit.

Zoti Raisi, 63-vjeçar, u zgjodh në postin e presidentit në vitin 2021 pas një përpjekjeje të dytë. Që nga marrja e detyrës, ai ka urdhëruar një shtrëngim të ligjeve të moralit dhe shtypjen e përgjakshme të protestave antiqeveritare. Ai ka bërë përpjekje të forta në rrafshin ndërkombëtar lidhur me aspiratat bërthamore të Teheranit. Ai shihej si një pretendent i fortë për të pasuar mentorin e tij, udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei.

(Zëri i Amerikës)