Teheran, 16 qershor 2025 – Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se Irani nuk do që lufta të përshkallëzohet, por theksoi se sulmeve të Izraelit do t’u përgjigjet në të njëjtin nivel.
“Ne nuk duam ta përshkallëzojmë luftën, por do t’i kundërpërgjigjemi çdo agresioni kundër Iranit”, ka shkruar Pezeshkian, në një postim në platformën X.
Pezeshkian e ka bërë këtë deklaratë pas një bisede telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan, lidhur me konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Iranit.
Ndërkohë, zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Iranit, Reza Sayyad, ka thënë se Irani nuk ka zgjidhje tjetër përveçse t’u kundërpërgjigjet sulmeve të Izraelit, duke theksuar se kjo do të jetë përgjigje “shkatërruese”.
“Shkalla e përgjigjes shkatërruese të luftëtarëve të guximshëm iranianë pa dyshim do të mbulojë të gjitha territoret e pushtuara”, ka thënë ai.
Sayyad i ka bërë thirrje popullit izraelit që të largohet nga “territoret e pushtuara”, duke theksuar se kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar jetën e tyre.
“Largohuni nga territoret e pushtuara! Kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar jetën tuaj”, ka thënë ai.
(r.m.)