Republika e Kosovës është një vend i pavarur i krijuar me vullnetin e Zotit, Amerikës dhe popullit shqiptar
Nga Agim Aliçkaj

Deklaratat e fundit të Presidentit Trump, të cilat përmendin disa herë Kosovën dhe Serbinë, kanë shkaktuar një debat të madh në Kosovë dhe gjetkë. Në konferencën e tij të fundit për shtyp, ai tha: “Serbia dhe Kosova po shkonin drejt një lufte të madhe. U thashë atyre, nëse e nisni, nuk do të ketë më tregti me Shtetet e Bashkuara. Ata thanë: Ndoshta nuk do ta nisim.”
Secili po i interpreton ato në mënyrën e vet, sipas interesave të veta. Por, pothuajse të gjithë pajtohen se Trump është i paparashikueshëm.
Disa besojnë se kjo do të thotë që Serbia ishte gati të sulmonte Kosovën këto ditë, por Trump e ndaloi atë.
Mendoj se Trump, në kontekstin e konflikteve aktuale, e tha këtë për të treguar veten si një udhëheqës i përkushtuar për paqen kudo në botë, duke synuar Çmimin Nobel për Paqen.
Nuk besoj se Trump ka kohë të merret me Kosovën dhe Serbinë në një periudhë afatshkurtër. Ai ka probleme shumë më të mëdha, si lufta në Iran, Ukrainë dhe Palestinë, plus problemet e brendshme të SHBA-së.
Kosova është një vend paqësor ku ligji dhe demokracia funksionojnë, ku pakicat gëzojnë të drejta kombëtare dhe njerëzore si askund tjetër në botë. Pjesa veriore e Kosovës është qetësuar pothuajse plotësisht, falë veprimeve të drejta dhe të guximshme të qeverisë Kurti në katër vitet e fundit. Bandat e regjimit autokratik të Vuçiçit janë kapur ose dëbuar nga Kosova, së fundmi aktivisti i urrejtjes Aco Arsenijeviç.
Ushtarët e NATO-s, përfshirë amerikanët, janë në Kosovë dhe ruajnë kufijtë e saj. Ata e dinë se në rast të agresionit serb kundër Kosovës, Evropa Juglindore do të përfshihet në konflikt. Kjo i bën kërcënimet serbe të çmendura dhe të pavlefshme. Aftësitë e saj për të kryer akte terroriste në Kosovë janë zvogëluar ndjeshëm pas shkatërrimit të grupit kriminal të terroristit Radojcic.
Megjithatë, nuk ka dyshim se në një kohë më të përshtatshme, sapo luftërat aktuale të vihen nën kontroll, administrata e Presidentit Trump do të kthehet te zgjidhja përfundimtare e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova duhet të jetë gati për këtë. Qetësia në Veri dhe në të gjithë Kosovën, si dhe krijimi i shpejtë i institucioneve qeverisëse, krijojnë një pozicion shumë më të favorshëm për Kosovën.
Duket se ai i ka problemet e Ballkanit në mendjen dhe në axhendën e tij. Kjo dëshmohet edhe nga vazhdimi i “Aktit Kombëtar të Emergjencës Lidhur me Ballkanin Perëndimor”.
Në këtë drejtim, Presidenti Trump mund të ketë një shans për të bërë paqe të qëndrueshme dhe për të krijuar histori në Ballkanin Perëndimor. Ai mund të jetë në gjendje t’i shpëtojë serbët nga vetja e tyre, t’i hapë sytë popullit serb, t’i çlirojë ata nga mitet si Vidovdani dhe urrejtja për të tjerët, t’i ndihmojë ata të kuptojnë se nuk janë viktima. Regjimi i tyre në emër të tyre ka shkaktuar dhe humbur katër luftëra dhe ka kryer dy gjenocide kundër popullit shqiptar dhe boshnjak.
Ai mund të jetë në gjendje t’i ndihmojë ata të kuptojnë se e kan humbur Kosovën përgjithmonë me luftë. Republika e Kosovës është një vend i pavarur i krijuar me vullnetin e Zotit, Amerikës dhe popullit shqiptar. Kjo është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Kosova është njohur nga më shumë se 110 vende të botës dhe është e përjetëshme.
Ai mund të jetë në gjendje t’i japë fund shpresave iluzore serbe për një Serbi të madhe, t’u kujtojë serbëve se Kosova është fëmija i Amerikës dhe, në rast agresioni, do të mbrohet nga Amerika. Kjo është e vetmja mënyrë për të arritur paqe të qëndrueshme në Evropën Juglindore.
Çuditërisht, disa media në Kosovë kanë raportuar, bazuar në “burimet e tyre brenda administratës Trump”, se zyrtarët amerikanë janë “të pakënaqur” me deklaratën e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në të cilën ai vlerëson rolin amerikan, por tërheq vëmendjen te dështimet e regjimit serb dhe specifikon kushtet që duhen përmbushur për të zgjidhur problemin. Ky është mashtrim i pastër, nga burime të dyshimta, kur dihet se z. Kurti nuk ka paraqitur kushte për Amerikën, por për regjimin shovinist serb të Vuçiçit.
Edhe më keq, pretendimet e disa kundërshtarëve të zotit Kurti se Trump preferon një qeveri pa Kryeministrin Kurti janë naive dhe qesharake. Jam i bindur se ai, për shumë arsye, nuk merret me emra, por ia lë shumicës së popullit të Kosovës të vendosë se kush duhet ta udhëheqë Kosovën. Sigurisht, ai preferon një qeveri të fortë që e di çfarë dëshiron dhe punon me përkushtim për ta arritur atë. Ai nuk ka as kohën dhe as guximin të merret me njerëz të korruptuar, servilë dhe dembelë që presin që Amerika t’ua rregullojë të gjitha punët.
Sinqerisht, sipas mendimit tim, kushtet për udhëheqës të aftë, të fortë dhe të vendosur aktualisht i plotësojnë më së miri kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, me disa nga bashkëpunëtorët e tyre. Më vjen keq të them se shumica e udhëheqësve të opozitës nuk i plotësojnë kushtet themelore për mbrojtjen dhe ndërtimin e shtetit. Ata duhet të ndryshojnë dhe të bëhen më të mirë se Kurti për të fituar mbështetjen e popullit dhe ndoshta edhe atë të Presidentit Trump.
Meqenëse Serbia kërkon luftë, ndërsa Kosova dëshiron paqe, mendoj dhe shpresoj se kur të vijë koha që Trump të merret me zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, ai do të anojë më shumë nga paqja, domethënë nga një Kosovë pro-amerikane. Ndërsa, nëse rastësisht mendon për udhëheqësit e Kosovës, preferenca e tij do të jetë për ata që i shërbejnë popullit të Kosovës, që punojnë shumë dhe thonë: “Kosova e para” dhe “Bëjeni Kosovën të fuqishme”.
Në fund të fundit, kjo varet kryesisht nga angazhimet, qëndrimet dhe veprimet e klasës politike të Kosovës dhe të secilit prej nesh. Minimumi që pritet nga ne është të mësojmë një gjë nga serbët, të luftojmë për tokën tonë stërgjyshore me të njëjtën forcë dhe përkushtim siç luftojnë ata për grabitjen e tokave të popujve tjerë.