Prishtinë, 5 gusht 2025 – Presidenca e Kosovës njofton se Presidentja Vjosa Osmani e ka pranuar të martën një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin e saj për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Në njoftim thuhet se Presidenti Trump ka shprehur mirënjohjen për gatishmërinë e Kosovës për mikpritjen e 50 emigrantëve nga SHBA-ja, akt ky që cilësohet si dëshmi e qartë të gatishmërisë së Kosovës për bashkëpunim me SHBA-në. Ai e vlerëson këtë vendim si shprehje të fuqisë dhe dhembshurisë së popullit të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, në vlerat e përbashkëta demokratike dhe në vizionin për një të ardhme paqësore dhe prosperuese”, shkruan presidenti Trump.
Sipas Presidencës, Presidenti amerikane e ka përgëzuar Presidenten Osmani për angazhimin e saj në forcimin e lidhjeve të Kosovës me SHBA-të dhe ka shprehur dëshirën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në vitet që vijnë.
“Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë”, thuhet në letrën e Presidentit Trump.
Në përmbyllje, presidenti Trump ia ka përcjellë Presidentes Osmani edhe përshëndetjet dhe urimet më të mira të Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump.
Njoftimi i Presidencës:
Presidentja Vjosa Osmani merr letër nga Presidenti Trump: E falënderon për lidershipin e guximshëm dhe e quan mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara
Sot, Presidentja Osmani ka marrë një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidershipin e guximshëm dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë.
Në letër, Presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij.
Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: “Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë.”
Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump.
(r.m.)