Prishtinë, 5 nëntor 2026 – Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, i cili është kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Presidenca e Kosovës njofton se Presidentja Shiroka Pula i ka vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës dhe e mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Kosovën.
Ajo ka theksuar rëndësinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të prezencës së investimeve zvicerane në Kosovë.
“Presidentja vlerësoi bilancin e mirë tregtar ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se ekziston potencial për ta rritur edhe më tej atë, nëpërmjet mundësive që ofron EFTA”, thuhet në njoftim.
Presidentja e Kosovës e ka theksuar gjithashtu nevojën për vazhdimin e mbështetjes së Zvicrës në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Ajo e ka vlerësuar edhe rolin e mërgatës shqiptare në Zvicër, duke theksuar se ajo përbën një urë të fuqishme lidhëse ndërmjet dy shteteve. Ajo ka shprehur mirënjohje për angazhimin e kontingjentit zviceran të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999.
Nga ana e tij, ministri Cassis ka rikonfirmuar se Zvicra do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen, duke shprehur mbështetjen e tij edhe për Presidenten Shiroka Pula.

Ministri i Jashtëm të Zvicrës është pritur edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Edhe Kryeministri Kurti i ka vlerësuar marrëdhëniet midis Kosovës e Zvicrës, duke shprehur mirënjohje të thella për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për popullin dhe shtetin e Kosovës. Ai ka folur edhe për forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mikdis dy vendeve.
“Mbi themelet e forta të lidhjes sonë me Zvicrën, që u vunë nga mërgata dhe mikpritja zvicerane në kohëra të vështira për shqiptarët e Kosovës, po ndërtojmë e avancojmë marrëdhëniet si Republikë, teksa po zgjerojmë bashkëpunimin, i cili me hyrjen në fuqi të EFTA-s muajin e kaluar shënon një kapitull të ri në tregtinë e lirë, përveçse të mallrave edhe shërbimeve”, ka thënë Kurti.
Zyra e Kurtit njofton se në takim është folur për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik si edhe për mbështetjen e Zcicrës për procesin integruese të Kosovës. Është diskutuar edhe për përfaqësimin e Kosovës në OSBE.
Ministri Cassis e ka ftuar Kurtin në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Cyrih, në prill të vitit të ardhshëm, ndërsa Kurti e ka ftuar ministrin në Shtëpinë e Kosovës në Davos, në muajin janar.
(r.m.)