Presidentja e Sllovenisë: “Jemi dëshmitarë të gjenocidit në Gaza dhe po heshtim”

Bruksel, 23 maj 2025 – Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, e ka akuzuar Izraelin se po kryen gjenocid në Gaza, gjatë vizitës së saj të parë në Bruksel.

“Unë do të guxoj ta them këtë sot, këtu, në Parlamentin Evropian: Ne jemi dëshmitarë të gjenocidit. Ne po e shohim atë, por po shikojmë dhe po heshtim”, ka thënë Pirc të enjten, në fjalimin e saj para deputetëve të Parlamentit Evropian, transmeton AA.

Duke folur për reagimin e BE-së ndaj bllokimit të ndihmave humanitare për popullsinë në Rripin e Gazës nga Izraeli, Presidentja sllovene ka thënë se e kupton që vendet anëtare të BE-së kanë pikëpamje të ndryshme, por ka shtuar se edhe vendet që kanë marrëdhënie miqësore me Izraelin “nuk duhet ta harrojnë ligjin humanitar”.

Situata në Lindjen e Mesme ka qenë njëra ndër temat e bisedimeve të Presidentes Pirc me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët kanë thënë se BE-ja do të angazhohet më fuqishëm në negociatat për vendosjen e paqes në rajon.

Një temë tjetër e vizitës së Presidentes së Sllovenisë në Bruksel ka qenë zgjerimi i Bashkimit Evropian. Ajo ka thënë se zgjerimi i unionit “është jo vetëm një domosdoshmëri gjeopolitike, por edhe detyrim moral që buron nga angazhimet e BE-së”.

Presidentja Pirc ka diskutuar për anëtarësimin e shteteve të reja në Bashkimin Evropian edhe me Komisioneren për zgjerim, sllovenen Marta Kos.

(r.m.)

Comment

*