Shkup, 5 gusht 2025 – Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, e ka dënuar shprehjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve nga një grup tifozësh në ndeshjen e basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar të shtunën, më 2 gusht, në Kumanovë.
Në një postim në Facebook ajo ka thënë se përgjegjësia për akte të tilla nuk është individuale.
“Turpi bie mbi të gjithë ne”, ka theksuar ajo.
Davkova i ka cilësuar të drejta reagimet kundër, siç ka thënë ajo, “plumbave të urrejtes ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë”, duke theksuar se kjo i ka goditur e turpëruar të gjithë.
“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, që ndodh për kush e di të satën herë, me të drejtë nuk ndalen reagimet ndaj incidentit të tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë — por në fakt, na goditën të gjithëve, madje edhe vetveten, dhe sërish jemi të turpëruar”, ka shkruar ajo.
“Më lejoni të kujtoj se turpi nuk bie vetëm mbi ata që lëndojnë me fjalët e tyre, sepse ata i prekin jo vetëm ata që janë në sallën sportive, por edhe ata që i dëgjojnë dhe i shohin”, ka shtuar ajo.
Presidentja Siljanovska Davkova ka kujtuar se një futbollist ishte viktimë e fyerjeve raciste në nj՞ ndeshje futbolli në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se tifozët nuk nxorën mësimet e duhura nga kjo ngjarje.
“Loja nuk është betejë për jetë a vdekje, por një përballje kalorësiake drejt një fitoreje të merituar, që publiku pritet ta duartrokasë, ta mbështesë dhe ta inkurajojë – jo të fyejë apo të lëndojë”, ka thënë ajo.
Siljanovska Davkova ka thënë se Maqedonia e Veriut nuk do të lejojë më që arenat sportive të kthehen në “arena tifozësh gladiatorësh. Ajo ka thënë se shteti duhet t’u kundërvihet tifozëve që mbjellin urrejtje dhe t’i mësojë se si duhet të brohorasin.
Në sallën e sporteve në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, u dëgjuan edhe thirrjet “vrite shqiptarin!”, “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri Maqedoni nuk do të zhduket”, “Maqedoni e pastër”, e të tjera.
Në sallë ishin të pranishëm edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe idisa qeveritarë të tjerë, por gjatë ndeshjes nuk kishin reaguar ndaj thirrjeve antishqiptare. Të hënën, Mickoski i dënoi thijjet kundër shqiptarëve, duke e cilësuar si “thirrje nacionaliste dhe ksenofobe”.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski të hënën.
Ai tha se gjatë ndeshjes, ai dhe bashkëpunëstorët e tij nuk kishin vënë re se në sallë kishte manifestime urrejtje ndaj shqiptarëve.
Prokuroria Themelore në Kumanovë njoftoi ka nisur hetimet lidhur me incidentin për të konstatuar elementet e veprës penale eventuale. Ajo bëri të ditur se policisë i ka kërkuar të sigurojë regjistrimet e kamerave të sigurisë për të bërë identifikimin e personave që mund të kenë kryer vepër penale.
Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka bërë të ditur se ka filluar hetimet e saj të pavarura lidhur me incidentin, duke theksuar se e dënon ashpër gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë të diskriminimit racor apo gjuhës raciste në ngjarjet sportive e kudo.
(r.m.)