Presidentja Osmani distancohet nga letra e Qeverisë dërguar Këshillit të Evropës

Prishtinë, 16 maj 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është distancuar nga letra e Qeverisë s٥ Kosovë dërguar Këshillit të Evropës (KE). Kabineti I Presidentes Osmani ka bërë të ditur se Qeveria nuk është konsultuar fare Presidenten lidhur me këtë çështje, prandaj ajo nuk mund të qëndrojë prapa përmbajtjes së saj.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”, ka deklaruar për Telegrafin Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes.

“Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione. Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi”, ka thënë Kupina.

Ai ka thënë se Presidentja Osmani, në bazë të obligimeve dhe kompetencave të saj kushtetuese, do të vazhdojë përpjekjet që t’i bindë vendet anëtare të Këshillit të Evropës që sa më parë të ftojnë një seancë të veçantë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, ka thënë këshilltari i Presidentes.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nëpërmjet një letre drejtuar Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ka njoftuasr se Qeveria e Kosovës është duke e përgatitur një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Kjo lëvizje e Qeverisë së Kosovës erdhi në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, në rendin e ditës nuk është përfshirë fare aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar Kosovës të bëjë “hapa konkretë” për Asociacionin për të siguruar votat e nevojshme për anëtarësim në Këshill të Evropës.

(r.m.)

Comment

*