Presidentja Osmani e pret Limajn në konsultime për konstituimin e Kuvendit

Prishtinë, 19 maj 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka takuar të hënën kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në kuadrin e konsultimeve të saj me forcat politike të vendit për zgjidhjen e ngërçit në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Zira e Presidentes Osmani, në një njoftim të shkurtër në Facebook, ka bërë të ditur se takimi është realizuar me kërkesë të Nismës Socialdemokrate.

“Në vazhdën e konsultimeve politike lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, sot Presidentja Vjosa Osmani, pas këkesës së pranuar nga Nisma Soicaldemokrate, ka takuar kryetarin e saj, z.Fatmir Limaj”, thuhet në njoftim.

Zyra e Presidencës nuk ka dhënë hollësi për bisedën.

Limaj e ka shpërndarë njoftimin e Presidencës në faqen e tij në Facebook, por nuk ka treguar se çfarë qëndrimi ka mbajtur lidhur me procesin.

Nisma Socialdemokrate, e cila ishte në koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë er Kosovës, i ka fituar tri ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Aleanca i ka fituar pesë ulëse.

Fatmir Limaj, që prej certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ka qenë konsekuent në qëndrimin e tij për arritjen e një konsensusi politik për formimin e institucioneve të reja qeverisëse neë Kosovë. Ai ka përsëritur disa herë se Nisma Socialdemokrate është e hapur të bisedojë me të gjitha subjektet politike për krijimin e koalcionit të ri qeveritar, si me partinë më të madhe në Kuvend, Lëvizjen Vetëvendosje, ashtu edhe me tri partitë opozitare: Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Ky qëndrim e ka hidhëruar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, i cili e kundërshton kategorikisht pjesëmarrjen e kësaj partie në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mospajtimet midis Limajt e Haradinajt kanë çuar në shkëputjen e deputetëve të Nismës Socialdemokrate nga grupi parlamentar me Alerancën për Ardhmërinë e Kosovës.

(r.m.)