Prishtinë, 6 mars 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi sot se ka nxjerrë dekret për shpërndarje të Kuvendit. Ajo tha se Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues.
“Jam këtu përpara jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja”, tha ajo në një konferencë për medie.
Presidentja Osmani e ka cilësuar si fatkeqësi për Kosovën dështimin e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së ardhshme.
“Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Presidentja Osmani, mandati i së cilës përfundon më 4 prill, tha se vendin e kanë sjellë në këtë situatë, siç u shpreh, “njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”.
“Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, u shpreh ajo.
Osmani tha se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri ka skaduar mbrëmë në mesnatë.
“Procedura për zgjedhjen e presidentit, edhepse mund të fillojë deri 60 ditë para afati të fundit, nuk mund të shtyhet më tej, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati përfundimtar është i qartë. Ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij afati”, shpjegoi ajo.
“Deputetët kanë pasur në dispozicion 23 ditë për ta kryer këtë detyrë kushtetuese. Ata vendosën të mos e bëjnë këtë. Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos e shfrytëzojë këtë afat nuk e ndryshon Kushtetutën tonë dhe nuk e zhbën detyrën time që ta shpërndaj këtë Kuvend, i cili dështoi”, theksoi ajo.
Zgjedhja e presidentit të ri dështoi, përkundër përpjekjeve të orëve të fundit të shumicës qeverisëse. Mbrëmë, në orët e fundit të afatit kushtetues, dështuan edhe dy seanca të jashtëzakonshme të Kuvendit, të cilat u thirrën nga shumica, në mënyrë që të shmangeshin zgjedhjet e reja.
Të dyja këto seanca dështuan për shkak të mungesës së kuorumit për votim.
Seanca e parë, në të cilën u provua të miratoheshin ndryshime të Kushtetutës me të cilat Presidenti i vendit do të zgjidhje me votë të qytetarëve, dështoi për shkak të mungesës së dy të tretave të deputetëve të partive të komuniteteve joshumicë. Sipas Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me shumicë të dyfishtë: me votat e dy të tretave të deputetëve të përpbërjes së plotë të Kuvendit dhe me votat e dy të tretave të deputetëve të subjekteve të komunitetit serb e të komuniteteve tjera joshumicë.
Ndërkaq, seanca e dytë dështoi sepse votimin për dy kandidatët për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, të dy të Lëvizjes Vetëvendosje, e bojkotuan deputetët e të tri partive opozitare shqiptare (Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës), si edhe deputetët e Listës Serbe, të cilët nuk morën pjesë në asnjërën prej seancave.
Sipas Kushtetutës, në votimin për president të vendit duhet të votojnë së paku 80 deputetë. Në dy votimet e para të votimit, njëri nga kandidatët (së paku dy) duhet t’i fitojë së paku 80 vota, kurse në votimin e tretë duhet t’I fitojë të paktën 61 vota.
Pas dështimit të të dy seancave, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
(r.m.)