Presidentja Osmani i fton liderët politikë në konsultime lidhur me konstituimin e Kuvendit

Prishtinë, 12 maj 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë të enjten konsultimet me aktorët politikë në Kosovës lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Zyra e Presidentes njoftoi se seria e konsultimeve do të misë të enjten, më 15 maj. Në njoftim tbëhet e ditur se liderëve politikë tashmë u janë dërguar ftesat .

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në njoftim nuk saktëzohet nëse Presidetja Osmani do të ketë takim të përbashkët apo takime të veçanta me liderët e partive që përfaqësohen në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se kryetari i saj, Memli Krasniqi e ka pranuar ftesën për takim me presidenten dhe se ai do të marrë pjesë në takim.

“Kryetari Krasniqi do të marrë pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë do të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Sipas Abdullahut, ka qenë PDK-ja ajo që i ka thirrje Presidentes Osmani të japë ndihmesën e saj për tejkalimin e krizës në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Pak ditë më parë, zyra e Presidentes kishte bërë të ditur se Presidentja Osmani është e gatshmë t’i thërrasë për konsultime liderët e partive politike në qoftë se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehur gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike, në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve”, kishte thënë zyra e Presidentes.

Nevoja për përfshirjen e Presidentes Osmani në përpjekjet për konstituimin e Kuvendit u vu në pah para pak ditësh, kur u bë e qartë se partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, dhe partitë e deritashme opozitare (PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja) nuk kanë vullnet të zgjidhin nyjen e krijuar me propozimin dhe me refuzimin e kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Të dielën dështoi edhe përpjekja e 14-të për konstituimin e Kuvendit. Përpjekja e radhës, e 15-ta, do të mbahet të martën, më 13 maj,

(r.m.)