Presidentja Osmani i thërret partitë në takim për të caktuar datën e zgjedhjeve në veri

Prishtinë, 11 nëntor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar në takim për 14 nëntor subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Kryetarët e këtyre komunave të banuara me shumicë serbe kanë dhënë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të automjeteve me targa të paligjshme të lëshuara në Serbi.

Në njoftimin e presidencës thuhet, pas konsultimit me partitë politike, Presidentja Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.

Sipas ligjit, zgjedhjet shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë prej shpërbërjes së tyre.

Dorëheqje kanë dhënë edhe 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës, të gjithë nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procedurat për zëvendësimin e tyre me kandidatët që janë renditur pas tyre në zgjedhjet parlamentare.

Dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, përfshirë gjyqtarët e prokurorët, policët, punëtorët e administratës dhe të disa shërbimev tjera.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjyqtarët e prokurorët e dorëhequr nuk do të mund të kthehen përsëri në sistemin e drejtësisë.

(r.m.)