Veprimtarit shqiptaro-amerikan Xhim Xhema i dorëzohet medalja “Urdhri i Lirisë”

Prishtinë, 14 shkurt 2023 – Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur një delegacion i komunitetit shqiptaro-amerikan, të kryesuar nga veprimtari i njohur i komunitetit shqiptare të Amerikës, Xhim Xhema, që e viziton Kosovën në 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani ia ka dorëzuar z. Xhema medaljen “Urdhri i Lirisë”, me të cilën ai është dekoruar për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë me dekada për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja Osmani ka cilësuar z. Xhema si ikonë të komunitetit shqiptar në Amerikë që, për më shumë se tri dekada, ka dhënë një kontribut të pamatshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për zhvillimin dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare.

Ajo ka shprehur respektin dhe mirënjohjen e thellë të popullit dhe të institucioneve të Republikës se Kosovës për rolin e pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptaro-amerikane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja osmani ka theksuar se komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë dhe është një urë e fortë e lidhjes së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka folur edhe për të arriturat dhe për sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës si edhe për nevojën për bashkërendimimit të veprimit ndërmjet institucioneve te Kosovës me komunitetin shqiptar në SHBA.

Veprimtari Xhim Xhema, nga ana e tij, ka falënderuar Presidenten Osmani dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen dhe respektin e shprehur ndaj tij dhe ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai ka thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve.

Z. Xhema ka thënë se dekorimi i tij është shprehje e respektit dhe mirënjohjes së institucioneve shtetërore të Kosovës jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj të gjithë veprimtarëve shqiptaro-amerikanë që për vite e dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës. 

(r.m.)