Presidentja Osmani kërkon që Kosovës t’I hiqen masat e BE-së

Prishtinë, 5 dhjetor 2025 – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

Si njofton zyra e Presidentes, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për zgjedhjet e parakohshme nacionale që do të mbahen më 28 dhjetor.

Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull.

Në takim është diskutuar edhe për pranimin e detyrës së kryetarëve të komunave të Kosovës të zgjedhur në zgjedhjet lokale, përfshirë ata të komunave veriore të Kosovës, ku ky proces u zhvillua sot.

Kabineti i Presidentes bën të ditur se Presidentja Osmani ka kërkuar heqjen e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se këto masa që janë vendosur “padrejtësisht e pa asnjë arsye” po e dëmtojnë interesin e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese më 2023 që përfshinin suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë, suspendimin e vizitave bilaterale, programimi i fondeve. Vendi ynë mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik 2023 në vlerë 2.1 miliardë euro.

Gjatë një vizite këtë vit në Kosovë, shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas tha se BE-ja ka nisur t’ia heqë gradualisht masat, por nuk dha më shumë detaje.

Është raportuar se masat që kanë nisur të hiqen kanë të bëjnë me MSA, paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

(r.m.)