Presidentja Osmani konsultohet me partitë politike për datën e zgjedhjeve lokale

Prishtinë, 4 qershor 2025 – Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se data e zgjedhjeve lokale do të caktohet gjatë ditëve në vijim.

Ky njoftim u bë pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me përfaqësues të subjekteve politike ku u diskutua për datën e zgjedhjeve,

“Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, thuhet në njoftim.

Pas takimit u njoftua se datat 5, 12 dhe 19 tetor janë propozuar nga përfaqësuesit e partive politike.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, bëri të ditur se në takim është paraqitur edhe ideja që në ditën e zgjedhjeve lokale të mbahen edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, duke qenë se partitë politike nuk po arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

“Qëndrimi ynë është ‘për’. … Unë isha shumë e vullnetshme që të diskutojmë edhe për këtë [opsion] por ju e dini se për këtë duhet ta konstituojmë Kuvendin e pastaj duhet ta shpërndajmë Kuvendin. Pra edhe për këtë duhet marrëveshje politike. Edhe një herë, për ta qartësuar: Qëndrimi i Lëvizjes është që të konstituohet Kuvendi e të votohet qeveria, por meqë nuk ka vullnet politik mund t`i kemi të dyja zgjedhjet bashkërisht”, u shpreh ajo.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se është e vështirë që zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale të mbahen të njëjtën ditë, sepse ka disa afate kushtetuese të duhet respektuar. Por, ai tha se zgjedhjet parlamentare mund të mbahen para zgjedhjeve lokale.

“Unë nuk e shoh të mundshme që zgjedhjet [lokale dhe parlamentare] të mbahen në të njëjtën datë, sepse afatet kushtetuese janë kokëforta… Por a mund të mbajmë zgjedhje të parakoshme [parlamentare] para zgjedhjeve lokale? Në kuptimin teorik është e mundshme. Normalisht, kjo varet edhe nga vullneti i partive të tjera politike, por ne, si PDK, gjatë gjithë kësaj kohe jemi munduar të kemi një rol konstruktiv për gjetjen e rrugëdaljes nga kjo krizë, nga ky moçal në të cilin na kanë vendosur Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”, u shpreh ai.

“Të gjitha opsionet janë të pranueshme nëse ato i japin drejtim një qeverie të re ku nuk është Albin Kurti”, theksoi Krasniqi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka propozuar që zgjedhjet lokale të mbahen më 12 tetor.

“Sot, në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve komunale, propozova që këto zgjedhje të mbahen më 12 Tetor 2025. Kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në takim me Presidenten Osmani nuk ka marrë pjesë përfaqësuesi i Listës Serbe. Kjo parti, e cila kontrollohet nga Beogradi, nuk është deklaruar ende lidhur me zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në vjeshtë.

Lista Serbe i kishte bojkotuar zgjedhjet e përsëritura lokale në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq). Mandati i k kryetarëve të këtyre komunave (të gjithë kandidatë të partive politike shqiptare) përfundon njëkohësisht me mandatin e kryetarëve të komunave tjera në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*