Presidentja Osmani nuk arrin të bind sindikatën, greva e mësimdhënësve vazhdon

Prishtinë, 3 shtator 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar të shtunën një takim me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve.

Mësimdhënësit e arsimit parauniversitar në Kosovë nuk e filluan vitin e ri shkollor më 1 shtator, pasi qeveria nuk po e përmbush kërkesën e tyre për rritjen e pagave të mësimdhënësve për 100 euro në muaj, derisa të miratohet Ligji për Pagat e shërbyesve civilë.

Sipas kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jashari, Presidentja Osmani ka kërkuar nga kjo organizatë sindikale që të rishqyrtojnë vendimin për grevë dhe sa më shpejt të fillojë procesi mësimor. Por, ajo nuk kaarritur t’i bindë drejtuesit e SBASHK-ut për të ndërprerë grevën, para se të plotësohen kërkesat e mësimdhënësve.

“Unë ia bëra me dije Presidentes se në situatën në të cilën ndodhemi, edhe pas këtij takimi, fatkeqësisht, greva do të vazhdojë”, ka thënë Jashari.

Ai ka thënë se me pakon e re të Qeverisë së Kosovës nuk plotësohet kërkesa për rritjen e pagave për 100 euro, prandaj greva në institucionet arsimore do të vazhdojë deri në miratimin e kësaj kërkese.

“Ne e lutëm presidenten që ta shfrytëzojë autoritetin e saj dhe të ndikojë që sot ose nesër të ulemi me përfaqësues të qeverisë, sepse, siç i thamë edhe asaj, kjo pakoja, le ta quajnë si të duan që ofron 50 euro nuk është realizim i kërkesave tona. Ne kemi qenë të qartë. Qeveria mund të japë pako dhe ne i gëzohemi çdo ndihme që i jep kujtdo qoftë në Republikën e Kosovës, por qeveria duhet të ulet me ne dhe të fillojmë realizimin e kërkesave tona, pra 100 euro çdo muaj, derisa të bëhet Ligji i Pagave, të formohen grupet e përbashkëta qeveri-sindikatë dhe të punojmë ligjin e pagave bashkërisht”, ka thënë ai.

Jasharaj ka thënë se nga Presidentja Osmani ka marrë zotimin se në ligjin përskenmat pensionale do të bëhen ndryshime që do t’ua njohin përvojën e punës punëtorëve që kanë punuar gjatë viteve të 90-ta.

Ai e ka vlerësuar përpjekjet e Presidentes Osmani për të gjetur zgjidhje që do të shpie në ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve.

“Është moment i ri dhe shembullin e presidentes duhet ta ndjekin edhe kryeministri dhe ministrat dhe, sot ose nesër, të ulemi që të gjejmë zgjidhje”, ka thënë Jashari.

Të enjten, më 1 shtator, kur duhet të fillonte mësimi në arsimin parauniversitar të Kosovës,  Presidentja Osmani u ka bëtë thirrje palëve që të gjejnë zgjidhje për vazhdimin e procesit mësimor.

“Sot na duhet reflektim dhe sjellje e përgjegjshme, jo vetëm në raport me procesin mësimor, por edhe për sfidat e mëdha nëpër të cilat po kalon shteti ynë. Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresojë shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagat e tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor”, ka thënë ajo.

Adresimi i plotë i Presidentes në Facebook:

Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mosfillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog.

Sot na duhet reflektim dhe sjellje e përgjegjshme, jo vetëm në raport me procesin mësimor, por edhe për sfidat e mëdha nëpër të cilat po kalon shteti ynë. Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresojë shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagat e tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor.

Arsimi ka luajtur rol jo vetën në formimin e vetëdijes tonë kombëtare, por edhe në shtetndërtimin dhe përparimin tonë të gjithmbarshëm. Si i tillë, ai është i shenjtë, sepse është çelës për të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe shtetit tonë.

Për këtë arsye, institucionet e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë, aftësimin e të rinjve për tregun e punës, sikurse edhe për përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve. Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit. Të gjitha palët kanë të drejtë t`i adresojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtij Projektligji, i cili është i hapur për diskutime paraprake dhe shumë shpejtë pritet të jetë në diskutim publik.

Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t`i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera.

Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar. Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor. Ne i detyrohemi nxënësve, ndaj secili punonjës arsimor, sikurse edhe sindikata e arsimit duhen të jenë, në radhë të parë, në funksion të interesit të nxënësve.

Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu!

Zyra ime ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme që ka në fokus interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor.

(r.m.)