Presidentja Osmani udhëtoi për në New York

Prishtinë, 19 shtator 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, ku do të mbahet sesioni i 77-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA).

Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani, do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, për liderët botërorë që do të marrin pjesë në këtë sesion.

 Ajo do të zhvillojë takime me krerë të shumë shteteve pjesëmarrëse në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, me zyrtarë të lartë amerikanë dhe me udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Presidentja Osmani do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë.

Ndërkaq në Fordham University, ajo do ta mbajë një ligjëratë, në të cilën do të flasë për reformat në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani do të shoqërohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

(r.m.)