Prishtinë, 24 maj 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenca e Kosovës njoftoi se Presidentja Osmani është ftuar nga Kongresi Amerikan për të marrë pjesë në ngjarjet që do të zhvillohen në Dayton, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
“Ky sesion sivjet shënon edhe 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit për Bosnjën e Hercegovinën, prandaj edhe e tërë ngjarja do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin perëndimor. Në këtë ngjarje të rëndësishme marrin pjesë edhe Presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, BE-së e SHBA-ve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në njoftim thuhet gjithashtu se në agjendën e Presidentes Osmani janë një sërë aktivitetesh, përfshirë fjalimet e saj në darkën kryesore dhe në panelet e sesionit, si edhe takimet me delegacionet pjesëmarrëse.
(r.m.)