Presidentja Osmani udhëtoi për në Washington, me ftesë të Sekretarit Blinken

Prishtinë, 8 korrik 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Washington D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të Amerikës, Antony Blinken.

Presidenca e Kosovës bëri të ditur se Presidentja Osmani do të marrë pjesë në një forum për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që organizohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në kuadër të Samitit të NATO-s që mbahet në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken për pjesëmarrje në këtë forum. Ajo ka thënë se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla “është e një rëndësie të veçantë, me që është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s”.

“Kjo mundëson krijimin e partneriteteve të reja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO”, ka theksuar ajo.

Presidentja Ormani ka thënë se përfshirja e Kosovës në një forum të organizuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit është tregues i rolit në rritje të Kosovës për paqen e sigurinë në nivel global dhe e përkushtimit të Kosovës  ndaj vlerave dhe parimeve të NATO-s.

Presidenca njoftoi se Presidentja Osmani, gjatë qëndrimit në Washington D.C., do të zhvillojë takime dhe aktivitete të tjera ku do të diskutohet për paqen dhe sigurinë në Ballkianin Perëndimor dhe më gjerë.

Zyra e Presidentes kujton se është përzgjedhur nga Zyra e Sekretarit Blinken në mesin e tre partnerëve global për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Marrëveshja për themelimin e kësaj qendre është nënshkruar nga Presidentja Osmani dhe Zyra e Sekretarit Blinken në muajin prill të këtij viti, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Samiti i NATO-s në Washington D.C., shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt.

(r.m.)

Comment

*